Lajme

Majmunët në Indi, fajtorë për qindra vrasje të këlyshëve


Në shtetin indian të Maharastra-s janë kapur dy majmunë që dyshohet se kanë vrarë qindra këlyshë.

Agjencia e lajmeve, “The Guardian”, tregon se raportimin për majmunët e kanë bërë fshatarët në fshatin Lavool, në distriktin Beed të Maharastra-s.

Sipas tyre, i kanë parë majmunët para se ata të kishin në shënjestër vrasjet e këlyshëve të lagjes, duke i rrëmbyer dhe duke iu marrë atyre jetën.

Fshatarët kanë pretenduar se majmunët po kryenin “vrasje hakmarrëse” pasi qentë kishin vrarë një majmun të mitur.

“Në dy-tre muajt e fundit ka pasur incidente ku majmunët që bredhin në zonë kapnin këlyshët dhe i çonin në një vend me lartësi të konsiderueshme për t’i hedhur që andej”, ka thënë një nga ata.

“Të paktën 250 qen janë vrarë deri më tani”, ka treguar banori i fshatit.

Për majmunët është raportuar se kishin lënë këlyshë në çati dhe në pemë, nga ku ata do të vdisnin nga mungesa e ushqimit dhe ujit, dhe në incidente të tjera ata do të hidheshin dhe vriteshin.

Vendasit kanë thënë se majmunët ishin aq të kujdesshëm sa nuk kishte mbetur asnjë këlysh në fshatin Lavool.

Një zyrtar nga zyra e qarkut ka zbuluar se nuk kishte asnjë provë se veprimet e majmunëve ishin nxitur nga hakmarrja.

“Vrasja e një majmuni të mitur nga qentë thuhet se ka zemëruar majmunët, të cilët si hakmarrje po vrasin këlyshët e qenve sipas banorëve vendas. Por nuk kemi asnjë provë për të mbështetur këtë teori”, ka thënë ai.

Gjithashtu ka shtuar se “është sjellje e kafshëve dhe nuk mund ta kuptojmë pse ata sillen kështu”.

“The Guardian” zbulon se fshatarët e zonës i kanë raportuar kafshët në departamentin e pyjeve pasi majmunët dyshohet se filluan të ngacmonin fëmijët vendas.

Ndërkaq, departamenti lokal i pyjeve ka konfirmuar se ata kishin kapur dy fajtorët e dyshuar, të cilët do të liroheshin në një pyll aty pranë.

“Dy majmunë të përfshirë në vrasjen e qenve janë kapur nga një ekip i departamentit të pyjeve Nagpur në Beed”, ka treguar oficeri i pyjeve Sachin Kand për mediat lokale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore