Lajme

Macron takon Mattarellan dhe Melonin


Do të jetë Emmanuel Macron kreu i parë i shtetit, të cilin Giorgia Meloni do ta takojë zyrtarisht pas marrjes së detyrës si kryeministre e Italisë.

Një kongres ndërkombëtar, i njohur si “Thirrja e Paqes – Feja dhe kultura në dialog”, i cili mbahet në Itali, ka bërë që kreu i Elysee-së të udhëtojë drejt Italisë dhe të mbajë edhe një fjalë aty, me referencë luftën në Ukrainë.

Mirëpo, gjatë gjithë zhvillimeve të ngjarjes, ai ka pasur rastin edhe të takojë homologun e tij, Sergio Mattarella, me të cilin ka folur po ashtu mbi ngjarjet e fundit, të cilat kanë përfshirë kontinentin e vjetër, që pas agresionit rus në Ukrainë me fillim më 24 shkurt 2022.

“Duhet të përgatisim paqen”, ka qenë mesazhi i Mattarella-s gjatë fjalës së tij në kongres.

Nga ana tjetër, Macron, ka përkufizuar se i takon Kievit, të përcaktojë rrjedhën e gjërave, si palë pjesëmarrëse tërësisht e mbështetur nga fuqitë perëndimore.

Megjithatë, sipas tij i duhet folur popullit rus hapur mbi gjithçka, edhe pse kjo është e vështirë të arrihet momentalisht dhe të shkohet drejt ndërgjegjes së qytetarëve të thjeshtë të Rusisë.

Takimi me Melonin nuk dihet nëse do të jetë me dyer të hapura apo të mbyllura, por vetë Presidenca franceze e ka konfirmuar se do të zhvillohet.

Kryeministrja italiane, e ardhur nga ekstremi i djathtë, është e para grua në drejtim të shtetit apenin.

Shqetësime të shumta ka pasur mbi qëndrimin potencial që ajo mund të ketë me marrjen e mandatit.

Por, vetë Meloni, ka garantuar se Roma do të jetë doemos krah anës së duhur të historisë, duke e përforcuar thirrjen për të mbështetur Ukrainën ekonomikisht dhe ushtarakisht.

Mbi këtë premisë, liderët e lartë evropianë e kanë falënderuar angazhimin e kryeministres italiane dhe kanë shprehur gatishmërinë për të punuar së bashku në reforma përmbajtësore për kontinentin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore