Lajme

Lutja e Ukrainës për sistemet kundërajrore të epokës sovjetike mbetet pa përgjigje


Premtimi i presidentit amerikan, Joe Biden, për ta furnizuar Ukrainën me sisteme raketore me rreze të gjatë veprimi të epokës sovjetike, është zhytur në vështirësi me sigurimin dhe lëvizjen e pajisjeve. Kjo është bërë e ditur nga zyrtarët amerikanë dhe perëndimorë.

Edhe pse SHBA-të dhe aleatët e saj përgatiten të shpallin sanksione të reja ndaj Moskës dhe ndihmë shtesë vdekjeprurëse e humanitare për Ukrainën këtë javë, sigurimi i mjeteve anti-ajrore të parë nga Kievi si vendimtare për aftësinë e tij, për të ndaluar përparimin e Rusisë, do të marrë më shumë kohë.

Përpjekjet po hasin në çështje të ngjashme, si plani tashmë i braktisur për transferimin e avionëve luftarakë polakë në Ukrainë, veprim që ka rezultuar në një fiasko diplomatike.

Vendet që kanë pajisjet – Sllovakia, Greqia dhe Bullgaria – ose kanë hequr dorë nga plani, ose duan sisteme të reja si zëvendësim. Ata, gjithashtu, kanë frikë se Moska do ta interpretojë çdo transferim si një akt agresiv.

Ekspertët e mbrojtjes thonë se Ukrainës i duhen sistemet kundërajrore për të zmbrapsur sulmet ajrore nga avionët luftarakë rusë.

“Ka një urgjencë në rritje për futjen e këtyre llojeve të sistemeve në vend”, tha Tom Malinowski,  ligjvënës demokrat nga Komiteti i Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

“Ata po i përdorin këto sisteme për të rrëzuar si avionët rusë, ashtu edhe raketat ruse”, tha Frederick Kagan nga “American Enterprise Institute”, institut konservator në Washington. “Ukrainasit po përgjojnë rregullisht raketat ruse. Nuk ka shumë sisteme në botë që mund ta bëjnë këtë në mënyrë të besueshme”.

Malinowski shtoi se, “Rusia duket se po rrit numrin e sulmeve ajrore, pasi forcat e saj tokësore frenohen në mënyrë efektive nga ukrainasit. Ka një urgjencë në rritje për futjen e këtyre llojeve të sistemeve në vend”.

Nga 30 vendet e NATO-s, vetëm Sllovakia, Greqia dhe Bullgaria kanë furnizime të sistemit raketor S-300 që u zhvillua fillimisht nga Bashkimi Sovjetik dhe të cilin ushtria ukrainase është e trajnuar për ta përdorur.

Javën e kaluar, Sllovakia tha se do të dërgonte S-300 nëse mund të siguronte një zëvendësues të përshtatshëm, por të mërkurën njoftoi se nuk ishte gati ta bënte këtë.

Bullgaria dhe Greqia kanë përjashtuar gjithashtu transferimin e sistemeve të tyre tani për tani.

Sllovakia ka filluar të marrë komponentë të sistemit të mbrojtjes raketore Patriot të prodhuar nga Amerika, që Gjermania po vendos përkohësisht si pjesë e përgjigjes së NATO-s ndaj luftës në Ukrainë. Holanda po dërgon gjithashtu një sistem Patriot në Sllovaki.

Por Sllovakia dëshiron të shohë më shumë kontribute të përhershme. Një zyrtar sllovak të mërkurën tha se sistemi gjerman do të jetë në Sllovaki vetëm për gjashtë muaj. Sllovakia nuk mund të përballojë të blejë sistemin e saj Patriot dhe do të kushtonte disa miliardë dollarë për të pasur bateri të mjaftueshme për mbulim të arsyeshëm të mbrojtjes, tha zyrtari.

Një zyrtar tjetër sllovak vuri në dukje vërejtjet të mërkurën nga Jaroslav Nad, ministri i Mbrojtjes i vendit, duke treguar se ushtria e saj do të kishte nevojë për një alternativë të përhershme nëse do të dhuronte sistemin e saj.

Sllovakia gjithashtu ka frikë se Moska do ta konsiderojë transferimin e municioneve kundërajrore si një akt agresiv dhe, më pas, do të sulmojë vendin, sipas dikujt të informuar mbi diskutimet.

SHBA dhe Greqia kanë pasur diskutime jozyrtare rreth transferimit të sistemit të saj S-300 nga Greqia, por Athina ka vendosur kundër për shkak të rëndësisë së raketave për sigurinë e saj, tha një diplomat grek.

Greqia ka dërguar tashmë pushkë kallashnikov dhe raketahedhës, por ka përjashtuar dërgimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore, tha një diplomat i dytë.

Pas takimit me Lloyd Austin, sekretarin e Mbrojtjes së SHBA-ve, javën e kaluar, kryeministri bullgar Kiril Petkov do të ofronte vetëm ndihmë humanitare për Ukrainën.

“Duke qenë kaq afër konfliktit, pikërisht tani më duhet të them se aktualisht, ne nuk do të jemi në gjendje të dërgojmë ndihmë ushtarake në Ukrainë”, tha ai të shtunën.

Pavarësisht hezitimit të tre vendeve me S-300, administrata Biden nuk po heq dorë nga plani tani për tani. “Ne ndihemi mirë për përparimin që po bëjmë në lidhje me sistemet e mbrojtjes ajrore”, tha të mërkurën këshilltari i sigurisë kombëtare i SHBA-ve, Jake Sullivan, përpara takimeve të Biden-it në Bruksel të enjten.

Një zyrtar amerikan tha se Washington-i i ka dhënë Ukrainës rreth 350 milionë dollarë ndihmë për sigurinë gjatë tri javëve të fundit dhe ka zotuar 1 miliard dollarë më shumë, duke përfshirë dërgesat që tashmë kanë filluar të mbërrijnë.

Zyrtari tha se SHBA-të po ndihmonin Ukrainën të marrë sisteme kundërajrore dhe municione me rreze më të gjatë veprimi që forcat e saj janë të trajnuar për t’i përdorur, me kërkesë të Volodymyr Zelensky, presidenti i Ukrainës.

Në të vërtetë, administrata Biden dëshiron që transferimet të bëhen urgjentisht, sipas zyrtarëve amerikanë.

“Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për orën dhe se Rusia po intensifikon bombardimet dhe zjarret me rreze të gjatë në qytete dhe qendra të popullsisë në të gjithë vendin”, tha në fillim të kësaj jave sekretari i shtypit i Pentagonit, John Kirby.

Ngurrimi ka jehonë të planit fatkeq të avionëve luftarakë që u anulua këtë muaj kur SHBA-të hodhën poshtë një propozim polak që SHBA-të të merrnin në zotërim avionët luftarakë të epokës sovjetike dhe t’i transferonte ato në Ukrainë.

Washington-i kishte frikë se një veprim i tillë mund të shkaktonte një përgjigje ruse, ndërsa Pentagoni arriti në përfundimin se avionët nuk do të ndryshonin ndjeshëm efektivitetin e forcave ajrore ukrainase.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore