Lajme

Lutfiu ankohet në MPB-në e Serbisë, për mosrespektim të dygjuhësisë


Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiu.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiu, është ankuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme për mosrespektimin e dygjuhësisë.

Lutfiu, ka thënë se tabela zyrtare e stacionit policor në Bujanoc është e shënuar vetëm në gjuhën serbe.

“Tabela zyrtare e stacionit policor në Bujanoc është e shënuar vetëm në gjuhën serbe, duke mos respektuar dygjuhësinë”.

Ai ka thënë se kërkesën e tij e ka bërë bazuar në ligjin aktual që është në fuqi.

“Për këtë i dërgova shkresë zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, respektivisht stacionit policor në Bujanoc, ku kërkova që të vendoset edhe mbishkrimi në gjuhën shqipe dhe të respektohet dygjuhësia, ashtu siç e parasheh ligji”, ka shkruar ai në rrjetin social ‘Facebook’. 

Më 23 maj, Nevzad Lutfiu, ishte zgjedhur edhe zyrtarisht në krye të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi.

Në zgjedhjet e kuvendit të Këshillit Kombëtar Shqiptar – koalicioni i krijuar në mes të Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Lëvizjes së Progresit Demokratik, dhe Partisë Demokratike – arritën që fitojnë bashkërisht shumicën e mandateve të këshilltarëve në këtë institucion që udhëhiqet nga shqiptarët.

Në bazë të marrëveshjes së arritur, Lutfiu do të qëndrojë në krye të këtij institucionit për dy vite.

Në një intervistë për Albanian Post kryetari i ri i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Nevzad Lutfiu, kishte thënë se “përfshirja e Luginës së Preshevës në marrëveshjen finale në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë me patjetër, meqë ky është rast i vetëm ne Evropë e shumë i rrallë në botë ku shteti e diskriminon një pakicë vetëm për shkak të përkatësisë etnike”.

Ai tregoi për AP se pozicioni i tyre është shumë i qartë në drejtimin e KKSH-së, pasi që thotë se shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës duan hiç më pak se “ato të drejta që i gëzojnë serbët në Kosovë”.

Sipas të dhënave të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, janë mbi 3 mijë adresa që janë pasivizuar në Medvegjë dhe mbi 2 mijë në Preshevë e Bujanoc.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore