Lajme

Lumezi: Sistemi i drejtësisë në Kosovë ka nevojë për përmirësim


Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, deklaroi se ka gjëra ende brenda sistemit të drejtësisë që duhet të përmirësohen, por adresimi i tyre duhet të bëhet vetëm nga institucionet e pavarura kushtetuese përkatësisht nga pushteti gjyqësor dhe jo nga pushtetet e tjera.

“Nuk pretendoj se ne nuk kemi gabime. Mirëpo gabimet që kemi, duhet të adresohen vetëm nga institucionet e pavarura kushtetuese, përkatësisht nga pushteti gjyqësor”, ka thënë Lumezi.

Ai ka folur edhe për pavarësinë institucionale në Kosovë, ndërsa ka theksuar se nuk është rastësi ndarja e pushteteve dhe se kjo ndarje duhet të respektohet nga të gjithë.

“Nuk është rastësi as fakti se jemi mekanizëm i pavarur kushtetues. Ne bëjmë punën tonë. Pavarësisht nëse kjo i pëlqen dikujt tjetër apo jo”.

Gjykata Themelore në Prishtinë

Ai shtoi se, “është jetike për një shtet demokratik dhe për një shoqëri demokratike që ndarja e pushteteve të mos figurojë vetëm si garanci kushtetuese në letër, por kjo të garantohet në praktikë dhe të respektohet plotësisht. Veprimtaria e organeve të pushtetit gjyqësor nuk mund të kontrollohet nga organet e një pushteti tjetër”.

Lumezi në tryezën e pestë të Komitetit Drejtues të Programit të Bashkimit Evropian për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë “EUKOJUST”, theksoi edhe ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë e Gjyqësorit.

“Andaj Ekzekutivi dhe Legjislativi mund të përmirësojnë punën tonë, duke na ndihmuar me përkrahje në buxhet, miratim të ligjeve dhe respektim të pavarësisë që kemi, si dhe me anë të fuqizimit të mekanizmave brenda vetë sistemit për të adresuar problemet dhe lëshimet e hasura deri më tani”.

Ai gjithashtu, shprehu gatishmërinë e tij për të rritur bashkëpunimin dhe koordinimin me institucionet e tjera, mirëpo vetëm në suaza të mosndërhyrjes në punët e njëri-tjetrit dhe duke respektuar pavarësisë institucionale dhe kushtetuese.

Tryeza e pestë e Komitetit Drejtues të Programit të Bashkimit Evropian për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë “EUKOJUST”, u mbajt të martën e 25 janarit qëllimi i kësaj tryeze ishte prezantimi i Raportit për Ndarjen e pushteteve dhe Pavarësia e Gjyqësorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore