Shqipëria

Lulzim Berisha arrestohet nga autoritetet spanjolle


Është arrestuar në Spanjë këtë të enjte të 14 dhjetorit Lulzim Berisha.

Arrestimi i tij vjen si rrjedhojë e operacioneve për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Për të shumëkërkuarin – ish-kreu i Bandës së Durrësit – autoritetet shqiptare do të kërkojnë ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Tanimë është finalizuar operacioni policor i koduar “Sant Joan”.

“Si rezultat i bashkëpunimit të FAST Albanias me FAST Spanjën, falë informacioneve të siguruara përmes inteligjencës policore nga Policia e Shtetit dhe shkëmbimit të tyre në kohë, me strukturat e Policisë spanjolle, u bë e mundur kapja e shtetasit me rrezikshmëri të lartë shoqërore Lulzim Berisha”.

Ndërkohë, vijon bashkëpunimi me autoritetet spanjolle, për plotësimin e dokumentacionit, me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka reaguar menjëherë pas lajmit të arrestimit nga autoritetet spanjolle të të shumëkërkuarit Lulzim Berisha.

“Sundimi i ligjit vijon të godasë në Shqipëri e kudo, mbi këdo dhe pandëshkueshmëria do të marrë fund ndaj kujtdo që kujton se do të vazhdojë t’i fshihet”, ka theksuar Balla.

Sakaq, ai ka përshëndetur Policinë e Shtetit, ekipin e Fast Tirana, të cilët në bashkëpunim me Fast Madrid kanë bërë të mundur “arrestimin e Lulzim Berishës në Alicante, Spanjë, një person i kërkuar nga drejtësia në Shqipëri”.

Kush është Lulzim Berisha?

Në 27 maj 2022, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Lartë të datës 7 dhjetor 2021, e cila ka vendosur për rikthimin në burg të ish-kreut të Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha.

Ai u lirua me kusht nga burgu në 5 dhjetor të vitit 2016, 5 vite para afatit. Trupa gjyqësore e Gjykatës së Apelit Durrës, kryesohej nga Arben Vrioni, me anëtarë Petrit Çenon dhe Anita Micin.

Në vitin 2020, ai është shpallur në kërkim nga SPAK, për krime të tjera të rënda, të ndodhura 17 vite më parë, por të zbardhura vetëm tre vite më parë.

Lulzim Berisha u arrestua në 6 prill 2006.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ngriti 10 akuza për Lulzim Berishën, mes të cilave krijimin e një organizate kriminale dhe një seri vrasjesh e atentatesh të kryera mes viteve 1998-1999.

Më 16 janar 2012, Lulzim Berisha ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda për pesë vrasje dhe disa atentate.

Organizata e drejtuar prej tij akuzohej për vrasjen e Dritan Sallakut, Viron Currit, Arjan Pajës, Marsel Sotirit, Dritan Dishës dhe Ervin Lames. Vendimi u la në fuqi edhe nga Apeli.

Por, Gjykata e Lartë, në vitin 2014, rrëzoi dënimin me burgim të përjetshëm Berishës dhe vendosi 25 vjet burg për ish-kreun e bandës së Durrësit.

Vendimi i lirimit nga burgu për ish-kreun e bandës së Durrësit u vulos më 5 dhjetor 2016 nga Gjykata e Apelit, pas një serie vendimesh të diskutueshme gjyqësore për ulje dënimi, raporteve që e përshkruajnë atë si “të  dënuar shembullor” dhe një garanci për punësim të ofruar nga kryebashkiaku i asaj kohe Vangjush Dako.

I arrestuar më 6 prill 2006, Lulzim Berisha ka qëndruar fizikisht 10 vjet e tetë muaj në burg.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore