Lajme

Lukashenko nënshkruan ligjin e ri, tani me imunitet të përjetshëm nga ndjekja penale


Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka nënshkruar një ligj të ri që i jep atij imunitet të përjetshëm nga ndjekja penale.

Nga ana tjetër, ndalon liderët e opozitës që jetojnë në mërgim të konkurrojnë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Ligji teorikisht zbatohet për çdo ish-president dhe anëtarë të familjes së tij ose të saj.

Por në realitet, është më se i rëndësishëm vetëm për 69-vjeçarin Lukashenko, i cili ka sunduar Bjellorusinë me një dorë të hekurt për gati 30 vjet.

Masa e re duket se synon të forcojë më tej pushtetin e Lukashenkos dhe të eliminojë sfiduesit e mundshëm në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të vendit, të cilat do të zhvillohen në vitin 2025.

Ligji shtrëngon ndjeshëm kërkesat për kandidatët presidencialë dhe e bën të pamundur zgjedhjen e liderëve të opozitës që kanë ikur në vendet fqinje vitet e fundit.

Vetëm qytetarët e Bjellorusisë që kanë banuar në vend për të paktën 20 vjet dhe nuk kanë pasur kurrë një leje qëndrimi në një vend tjetër kanë të drejtë të konkurrojnë.

Bjellorusia u trondit nga protesta masive gjatë rizgjedhjes kontroverse të Lukashenkos në gusht 2020 për një mandat të gjashtë, të cilin opozita dhe Perëndimi e dënuan si mashtruese.

Asokohe, autoritetet bjelloruse arrestuan më shumë se 35 mijë njerëz, shumë prej të cilëve u torturuan në paraburgim ose u larguan nga vendi.

Lukashenko është akuzuar gjithashtu për përfshirje në transferimin e paligjshëm të fëmijëve nga qytetet e pushtuara nga Rusia në Ukrainë në Bjellorusi.

Sipas ligjit të ri, Lukashenko, nëse do të largohej nga pushteti, “nuk mund të mbahet përgjegjës për veprimet e kryera në lidhje me ushtrimin e kompetencave të tij presidenciale”.

Po ashtu ligji thotë se presidentit dhe anëtarëve të familjes së tij do t’u sigurohet mbrojtje shtetërore gjatë gjithë jetës, kujdes mjekësor dhe sigurim i jetës dhe shëndetit.

Pas dorëheqjes, presidenti do të bëhej gjithashtu anëtar i përhershëm i Dhomës së Lartë të parlamentit.

Udhëheqësja e opozitës Sviatlana Tsikhanouskaya, e cila iku në Lituaninë fqinje në vitin 2020, ka thënë se ligji i ri ishte përgjigja e Lukashenkos ndaj “frikës së tij për një të ardhme të pashmangshme”, duke sugjeruar se Lukashenko duhet të shqetësohet për atë që do të ndodhte me të kur të largohej nga pushteti.

“Lukashenko, i cili shkatërroi fatet e mijëra bjellorusëve, do të dënohet sipas ligjit ndërkombëtar dhe asnjë imunitet nuk do ta mbrojë atë kundër kësaj, është vetëm çështje kohe”, ka thënë Tsikhanouskaya.

Sakaq, opozita e vendit po kërkon një hetim për zhdukjet e politikanëve të opozitës dhe largimin e fëmijëve ukrainas nga Ukraina.

“Ne do të sigurojmë që diktatori të sillet para drejtësisë”, ka thënë Tsikhanouskaya, duke theksuar se kishte ende rreth 1 mijë e 500 të burgosur politikë pas hekurave në Bjellorusi, duke përfshirë edhe laureatin e çmimit Nobel për paqen Ales Bialiatski.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore