Shqipëria

Luigi Soreca: SPAK po vazhdon luftën ndaj korrupsionit


Ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Speciale për të sekuestruar pasurinë e tre ish-gjyqtarëve të akuzuar më herët nga SPAK.

Sipas ambasadorit reforma në drejtësi po vazhdon dhe SPAK-u po ndjek detyrat e tij për të luftuar korrupsionin.

Vendimi është përshëndetur gjithashtu edhe nga ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

“Reforma në Drejtësi nuk do të jetë e shpejtë, e lehtë ose e përsosur, por po ecën përpara, hap pas hapi”, shkroi Kim në deklaratën e saj.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka realizuar hetimin për tre ish-gjyqtarë, përkatësisht Fatos Lulo (ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese), Bashkim Dedja (ish-kryetar në Gjykatën Kushtetuese) dhe Shkëlzen Selimi (ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë).

SPAK ka kërkuar sekuestrimin e pasurive në zotërim dhe pronësi të këtyre tre subjekteve.

Ata akuzohen për veprën penale “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore