Shqipëria

Lufta për status


Dëgjoheshin zëra që vinin nga zona pritëse e goditës.

Aty, një nga faqet e murit është e mbuluar me pasqyrë dhe në të shumtën e rasteve, shërben si “zonë fotosh”.

Atë mbrëmje ishin dy mikesha, njërën prej të cilave e njoh dhe që, si jo rrallëherë, kishte marr përsipër rolin e fotografes.

Po i tregonte tjetrës si të qëndronte e ndersa vetë po gjente këndin më të përshtatshëm. Bëri disa dhe ia tregoi nëse i pëlqenin.

Qeshnin se, telefoni me të cilin po i ‘shkrepnin’ fotot për Instagram nuk ishte iPhone, nga ai modeli i fundit.

Në atë çast, pranë tyre kaloi një tjetër vajzë, me sa duket ishte po ashtu banore e godinës. “Me këtë telefon që ke edhe më i bukuri s’del mirë, prit se do t’i bëj unë një foto”, i tha.

U ndje keq. Fytyra i ndryshoi. Por shpejt e rimori veten dhe thjesht shkëmbeu një buzëqeshje me të.

Pse-ja… dihej. Mënyra se si u largua nënkuptonte sikur çdo përgjigje që t’i jepte do të ishte e kotë, se s’mund t’i shpjegonte se fotografia e mirë nuk varet nga ‘telefoni trend’.

Por nga ideja, koncepti, vizualizimi. Nga syri estetik, këndi, drita… dhe sigurisht mesazhi.

Sikur donte t’i bënte me dije se s’mund ta kuptonte dot se një prekje bardhezi mund ta çonte një foto tejet bazike në një tjetër dimension. Se një lojë me dritë-hijen mund ta kthente gëzimin në trishtim.

Por jo, zgjodhi t’ia thoshte me heshtjen që la pas. Me heshtjen që e jehonin muret: “S’jam pjesë e luftës tënde për status”.

Kohë egoje ambicioze

Profesoreshë Arjana Muçaj, përgjegjëse e Departamentit të Psikologjisë në Fakultetin e Shkencave Sociale pranë Universitetit të Tiranës, e shtjellon në detaj këtë fenomen social që ka zënë vend edhe në Shqipëri.

Për “Albanian Post”, ajo tregon se shoqëria shqiptare ende nuk është shkëputur nga konceptet e lidhura me statuset shoqërore.

“Shoqëria shqiptare – edhe pse ka një periudhë të gjatë që është shkëputur nga sistemi i një shoqërie ku lufta e klasave ka qenë në qendër të sistemit -ende nuk është ndarë nga konceptet që janë të lidhura me statuset shoqërore”, dallon ekspertja.

Dhe se kjo, reflektohet në statuse aspak të drejta për shoqërinë tonë.

Sipas Muçajt, influencat e sotme sociale kanë një ndikim të madh tek individi.

“Qenia njerëzore e ka të pamundur ekzistencën si qenie e veçuar nga grupi social në të cilin bën pjesë. Ndikimi që grupi ka mbi ne reflekton dhe dëshirën që ne shfaqim për statusin tonë social”, tregon ajo.

Ndikimi vërehet edhe më tepër të të rinjtë, të cilët përpiqen me ngulm të vetë-shpallen pjesë e një grupi shoqëror me status të lartë social.

“Të rinjtë duan të jenë në qendër të vëmendjes pasi modelet që ju kalojnë përpara syve janë modelet me vlerat më të ulëta të shoqërisë shqiptare”, thotë profesoresha e psikologjisë.

Ajo veçon ndër të tjera një rrjedhojë problematike të këtij trendi te të rinjtë. Ka të bëjë me lënien në harresë të vlerave të vërteta.

“Vlerat morale i ka zëvendësuar egoja ambicioze e pushtetit, të të fortit, të të paarsimuarit dhe të vetëvlerësimit fals për aftësitë që kanë”, ravijëzon ajo.

Madje, sjell edhe ilustrime konkrete.

“Sot është më i pëlqyer ai që zotëron një telefon të modelit të fundit, një veshje ku emrat e firmave janë në garë me njëra-tjetrën, ku komunikimi njerëzor verbal është zëvendësuar me vlerat anti-morale të shoqërisë”, thekson Muçaj.

Të fitosh një status brenda grupit në ditët e sotme, sipas saj, nuk është më “privilegj”, pasi dihet mirë se statusi ose trashëgohet ose fitohet nga pozicionet që merren në grupin social të gjithsecilit.

“Shoqëria jonë ka vuajtur për shumë vite statusin në shoqëri dhe këtë po e reflekton tani rinia”, shpjegon ajo.

Si familja ashtu edhe rrethi shoqëror lënë gjurmë, ndaj dhe ambienti ku të rinjtë rriten dhe socializohen ka rëndësi.

“Kultura buron nga familja. Fëmija rritet si ta mësosh. Po tek ai lë shenjë çdo goditje që merr dhe nga rrethi shoqëror ku zhvillohet si në aspektin intelektual edhe në atë social”, thotë Muçaj.

Nga ana tjetër, s’mund të linte mënjanë mediat sociale, të cilat bombardojnë në mënyrë frekuente dhe intensive këdo që harxhon kohë në to.

Ajo i gjykon mediat sociale me një ndikim relativisht të madh, veçanërisht te të rinjtë, të cilët shpenzojnë edhe më shumë kohë duke u angazhuar në platformat e ndryshme.

Për përpos kohës, ata ndeshen edhe me modele që nuk përçojnë vlera.

“Aty të rinjtë gjejnë lloj-lloj modelesh dhe kur boshllëku i një modeli zëvendësohet me modelin që buron nga injoranca e pavetëdijes shoqërore atëherë do të kemi dhe këto statuse sociale që të rinjtë krijojnë për veten e tyre”, sqaron psikologia.

Duke ripërsëritur se statusi në shoqëri ose është i lindur ose fitohet, ajo shton se jo të gjithë lindin me gjak blu.

“Ama mund të arsimohemi dhe edukohemi me vlerat morale më të mira të shoqërisë. Dhe kështu të rinjtë mund të jenë të denjë për statusin e tyre shoqëror”, përmbyll Muçaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore