Shqipëria

“LSI-ja në Fier e lidhur me botën e krimit, ndikuan në zgjedhjet e 25 prillit”


Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, është paraqitur në ambientet e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Deputeti, pas dëshmisë mesditën e 26 korrikut në SPAK, ka dalë në një deklarate për mediat, ku ka thënë se “në Fier krimi ndikon shumë”.

“Unë jam një nga politikanët që kam bërë kallëzime penale disa herë. Gjatë fushatës, denoncova një gjyqtar. Unë jam politikan edhe e ndiej që bota e krimit në Fier është goxha influente”.

Ky sensibilizim, sipas tij, është i nevojshëm edhe për SPAK-un.

“Bota e krimit në Fier ka pasur lidhje të konsoliduar me politikën. Mund t’iu them që, në marrëdhënie me LSI-në, kjo ndikoi në zgjedhjet e fundit. Kam një vullnet të palëkundur për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë”.

Ai theksoi gjithashtu se nuk është as prokuror, as gjyqtar, dhe as pjesë e Policisë së Shtetit, por ka përvojë si ish-ministër i Rendit.

“Unë nuk jam hetues që të kërkoj dokumente konkrete dhe të jap emra. Fakti që njerëzit e kësaj bote hyjnë më kollaj në punë se njerëzit e thjeshtë, tregon se janë më influentë”.

Më herët, SPAK-u filloi verifikimet për deklaratat e ish-zëvendësministrit të Mbrojtjes, Petro Koçi, i cili në një emision televiziv u shpreh se “në Fier, duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike”.

“Këtë e realizojnë ose nëpërmjet lidhjeve të drejtpërdrejta me ndonjë titullar institucionesh, ose nëpërmjet kërcënimit të zyrtarëve të caktuar që ekzekutojnë prokurimet, si dhe nëpërmjet eliminimit të konkurrentëve në procesin e tenderimit, duke kërcënuar pronarët e subjekteve të biznesit”, ka deklaruar në një emision televiziv.

“Protagonistë të trafikut të drogës dhe të dhunës tashmë kanë legalizuar subjekte biznesi që fitojnë tenderë publikë”, ka thënë ai.

Petro Koçi është përzgjedhur për të qenë pjesë e Parlamentit të Shqipërisë, si deputet i Fierit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore