Shqipëria

LSI do të mbajë Konventën Kombëtare më 25 korrik


Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), ka njoftuar përmes një postimi në median sociale Facebook se do të mbajë Konventën Kombëtare për vitin 2022 më datë 25 korrik.

Kjo Konventë do të mbahet në orën 19:00 në Pallatin e Kongreseve.

Lëvizja e LSI-së vjen një ditë pasi ish-kryetari i saj Ilir Meta dorëzon detyrën si President i Republikës së Shqipërisë.

Ky i fundit, pati njoftuar një vit më parë se në respekt të sakrificave për demokracinë, që ka bërë LSI-ja, më 24 korrik 2022, do të rikthehet për të marrë kartën e anëtarësisë së LSI-së dhe do t’u bashkohet përpjekjeve të të rinjve dhe të rejave për Shqipërinë e Shqiptarëve.

Ndërkohë, më datë 24 korrik, në një seancë të posaçme plenare në Kuvend, Bajram Begaj do të kryejë betimin si Presidenti i Ri i Republikës së Shqipërisë.

Pas seancës plenare të 24 korrikut, Begaj do t’i drejtohet Presidencës, ku pritet të zhvillohet ceremoniali shtetëror për nisjen zyrtarisht të detyrës së Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore