Lajme

LSDM-ja kandidon edhe për një mandat Pendarovskin për president të Maqedonisë së Veriut


Stevo Pendarovski

Stevo Pendarovski do të garojë për të fituar edhe një mandat si President i Maqedonisë së Veriut, në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 24 prill rundi i parë dhe më 8 maj rundi i dytë.

Vendimi për kandidimin e Pendarovskit është marrë nga bordi ekzekutiv i Lidhjes Socialdemokrate (LSDM).

Bordi Ekzekutiv i LSDM-së në seancën e së enjtes të mbajtur në qytetin e Shtipit shqyrtoi informacionin për procedurën për kandidatët e mundshëm për kryetar të shtetit maqedonas për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Sipas kësaj partie, nga të gjitha analizat, diskutimet dhe ankesat e opinionit publik, Bordi Ekzekutiv i LSDM-së mbështeti Pendarovskin si kandidat për President të Maqedonisë së Veriut.

“Pendarovski është kandidat fitues, i afërt me popullin, ndan vlerat progresive, me vizion të qartë për të ardhmen evropiane të vendit. Pendarovski në mandatin aktual ia riktheu reputacionin, integritetin dhe besueshmërinë institucionit të Presidentit të shtetit dhe tregoi se çfarë do të thotë të jesh president i vërtetë për të gjithë qytetarët”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.

Në zgjedhjet presidenciale në Maqedoni të Veriut, pjesë e garës janë edhe dy kandidatë shqiptarë.

Arben Taravari është propozuar nga koalicioni opozitar i partive shqiptare (VLEN), ndërsa Bujar Osmani është kandidati nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) – partia më e madhe shqiptare në Maqedonia e Veriut.

Ndryshe, Pendarovski ishte zgjedhur President i Maqedonisë së Veriut më 5 maj të vitit 2019, pasi që kishte mposhtur në balotazh kandidaten e opozitës, Gordana Siljanovska-Davkova – e cila rikandidon edhe në këto zgjedhje si kandidate e VMRO-DPMNE-së – me një epërsi prej rreth 6 për qind të votave.

Gjatë mandatit të tij, Pendarovski është shquar për kultivimin e një kulture të respektit ndërmjet popujve përbërës të Maqedonisë së Veriut.

Së fundmi, ai kishte uruar shqiptarët për Ditën e Alfabetit, me një mesazh tejet unik, duke thënë – ndër të tjera – se “jemi krenarë që shqiptarët janë pjesë e pandashme e Maqedonisë së Veriut”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore