Sport

Lojtarët e ‘harruar’ që Chelsea i ka dërguar në huazim


Klubi i Chelsea njihet si një nga klubet që prodhon shumë talente në futbollin profesionit. Në të njëjtën kohë, ata janë edhe klubi që përfiton më shumë të ardhura nga huazimi i lojtarëve.

Janë plot 22 lojtarë që Cheslea i ka dërguar në huazim dhe tashmë shkëlqimi i tyre është në zhdukje. Nga talente premtues në lojtarë të “harruar”

Kush janë disa nga lojtarët e “harruar” që Chelsea ka dërguar në huazim?

Conor Gallagher – Crystal Palace

21-vjeçari ka kaluar mes huazimeve dhe aktivizimit te Chelsea U-23. Ai ka luajtur për Charlton-in, Swansea-n dhe West Brom-in para se të huazohej te Crysal Palace.

Gallagher-i aktualisht po gëzon formë të mirë në Premier League. Në gjashtë ndeshje qendërmesfushori ka shënuar dy gola dhe ka dhuruar një asist.

Billy Gilmour – Norwich

20-vjeçari që aktivizohet në qendër të mesfushës ishte befasia e Chelsea-t të Frank Lampard-it. Ai shkëlqeu pothuajse në çdo paraqitje me Chelsea-n, por në fund u vendos huazimi i tij.

Tashmë te Norwich-i, skocezi është aktivizuar në katër ndeshje në Premier League dhe dy ndeshje në Carabao Cup.

Tiemoue Bakayoko – Milan

Francezi ishte një prej lojtarëve më premtues të Monaco-s, para se të transferohej në Londër. Bakayoko së bashku me lojtarët e tjerë si Kylian Mbappe, Radamel Falcao, Bernardo Silva, Joao Moutinho, Fabino etj arritën t’i rrëmbenin PSG-së titullin e Ligue 1 në sezonin 2016-17.

40 milionë euro shpenzoi Chelsea për ta transferuar në Londër 27-vjeçarin. Por, ai nuk e gjeti kurrë formën e treguar te Monaco.

Ai u huazuar fillimisht te Milan-i, më pas te Monaco, Napoli, për t’u rikthyer përsëri në huazim te Milan-i. Vetëm një ndeshje është aktivizuar këtë sezon me kuqezinjtë.

Ethan Ampadu – Venezia

Qendërmbrojtësi 21-vjeçar u zbulua në 2018, kur u paraqit në nivele të larta me Chelsea-n. Djali me flokët e “çuditshme” u transferua te Chelsea nga Exeter City për shifrën e 2.8 milionë eurove.

Uellsiani e ka kaluar karrierën e deritanishme mes huazimeve. Fillimisht u dërgua te Leipzig-u, më pas te Sheffield United dhe tashmë te Venezia. Në Serie A është paraqitur vetëm dy ndeshje.

Emerson Palmieri – Lyon

Edhe pse u mor me bujë, nuk arriti të tregonte gjithë potencialin e tij në “Stamford bridge”. Braziliani i natyralizuar në italian u mor nga skuadra e Roma-s për shifrën e 20 milionë eurove.

Karriera e tij ka qenë në ulje-ngritje. Edhe pse në verë u lidh me disa skuadra për një rikthim të mundshëm në Itali, në fund u dërgua në huazim te Lyon-i në Francë. Në ligue 1 numëron gjashtë paraqitje këtë sezon, nga ku ka shënuar edhe një gol.

Kenedy – Flamengo

Braziliani u pa si një nga talentet më premtues të moshës së tij për kohën kur e transferoi Chelsea. Në vitin 2015, blutë shpenzuan 8 milionë euro për ta marrë nga Fluminense.

Ai nuk arriti të linte gjurmë te Chelsea dhe karriera e tij është e mbushur me huazime të shumta. 25-vjeçari fillimisht u huazua te Watford-i dhe më pas te Newcastle, Getafe, Granada dhe së fundi te Flamengo.

Këtë sezon ai numëron katër paraqitje në kampionatin brazilian të futbollit, por ende nuk ka shënuar golin e parë.

Danny Drinkwater – Reading

Mesfushori anglez mbase është një nga rastet më të çuditshme se si mund të shkojë karriera e një futbollisti. Nga një nga lojtarët më të kërkuar ai u shndrua në një lojtar që se donte më askush.

31-vjeçari ishte pjesë e Leicester-it të “artë” të sezonit 2015/16. Kohë kur fitoi Premier League-n, së bashku me N’Golo Kante-n, Riyad Mahrez-in, Jamie Vardy-n, Kasper Schmeichel-in e shumë të tjerë.

Ish-talenti i akademisë së Manchester United kaloi te Chelsea në 2017 për shumën e 37.8 milionë eurove. Në Londër nuk mundi të shkëlqente kurrë.

Karrierën e kaloi gjithashtu mes huazimeve të shumta. Fillimisht kaloi te Burnley, më pas te Aston Villa, Kasimpasa dhe së fundmi te Reading-u. Në Championship ai ka bërë katër paraqitje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore