Shqipëria

Zgjedhjet 2021/Loja është zyrtarisht e hapur!


Afatit të dorëzimit të listave zgjedhore i erdhi fundi me hyrjen e 9 marsit në kalendar. Ato tashmë janë të plotësuara. Tradita e kahershme e publikimit të tyre në orët e fundit të afatit, nuk rreshti as këtë vit.

Loja, gjithsesi, është zyrtarisht e hapur!

Dy javë, do të jetë koha e përgatitjes për muajin vendimtar të fushatës zgjedhore.

Ajo që bie më së shumti në sy, është një reformim i madh i emrave të të gjithë listave.

Partia Socialiste

Pas tetë vitesh qeverisje, Partia Socialiste, edhe sipas sondazheve, vazhdon të jetë forcë e parë në Shqipëri. Viti 2017 e pa atë fituese të vetme të zgjedhjeve me 74 mandate.

Listat e PS-së gjatë atij vitit, u kritikuan si të inkriminuara dhe pa integritet. Sot, kemi ndryshime të mëdha të emrave.

Ajo që vihet re është një raport tërësisht “feminist” në vendosjen e kokave të listës. Nga 12 qarqe, 10 do të kenë si emër të parë në to gra ose vajza.

Dy prurjet më të reja në PS, Luljeta Bozo dhe Najada Çomo, do të udhëheqin Tiranën. Mund të thuhet pa hezitim se pas 25 prillit, dy zonjat që frymëzuan Shqipërinë në përballimin e tërmetit dhe pandemisë, do të jenë deputete socialiste.

Emra të tjerë që bien në sy në krye të listave, janë ato të Evis Kushit në Elbasan, Milva Ekonomit në Durrës dhe Lindita Nikollës në Lezhë. Mirela Kumbaro do të drejtojë Gjirokastrën.

Ndërkaq, pesë zonja futen për herë të parë në zgjedhje, si vende të sigurta. Edona Bilali në Shkodër, Pranvera Resulaj në Vlorë, Greta Duraku në Kukës, Hatixhe Konomi në Berat dhe Eni Zake në Korçë.

Dy burrat e vetëm në krye të qarqeve janë Erion Braçe në Fier dhe Lavdrim Krashi në Dibër. Ky i fundit, emigrant prej vitit 1994 në Londër, i kthyer tashmë në Shqipëri.

Kasta e vjetër?

Luftën për mandate në PS do ta zhvillojë kasta e vjetër. Të gjithë janë të renditur ulët. Duke filluar nga vetë Rama, i cili garon në dy qarqe, Durrës dhe Vlorë, si numri tetë rendor i listës.

“Lideri duhet të hidhet në betejë dhe jo të shohë nga kreu i listës”, deklaronte Rama përpara mbledhjes së kryesisë së PS-së.

Gramoz Ruçi këto zgjedhje vendoset i dhjeti në renditje. Një përpjekje kjo për të maksimizuar mandatet në qarkun bastion të të majtëve, Fierin.

Spikat gjithashtu vendosja si i teti në listë i Taulant Ballës në Elbasan. Ndërkohë në Tiranë, i 19-i është Pandeli Majko. Ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafa, është i 23-i në lisëtn e Tiranës.

Lefter Koka, do të jetë vetëm i shtati në një Durrës shumë të luftuar. Blendi Klosi në Berat do të renditet i pesti.

Korça ndërkohë, do të shohë të gjashtin Niko Peleshin. Edhe Vlora sheh një surprizë me Damian Gjiknurin të renditur të shtatin në listë.

Në sy bien edhe disa emra nga opozita parlamentare të përfshirë në listën e PS-së. Enver Roshi, Halit Valteri dhe Nimet Musaj, janë në vende të ulëta në lista, por gjithsesi pjesë e tyre.

Partia Demokratike

Demokratët kaluan një proces përzgjedhjeje të gjatë për daljen e listave. Por, ajo që reflektohet në listat demokrate, është se jo gjithmonë rekomandimet e komisionit Ruli-Nishani-Mustafaj-Marku janë zbatuar.

Për shembull, pavarësisht skualifikimit, Ervinj Salianji do të garojë në Korçë.

Vetë Basha udhëheq listën e Tiranës. Kjo, në kontrast tërësor të Ramës, i cili kandidoi në renditje i teti në dy qarqe: Durrës dhe Vlorë.

Një pjesë e mirë e listave është e riformuar edhe në PD. Por edhe veteranët, kanë gjetur vend.

I pandashëm është emri i Sali Berishës, kreut historik të demokratëve. Ai renditet i pesti në qarkun e Tiranës, praktikisht me një mandat të sigurt. Aleatët si Fatmir Mediu, Vangjel Dule, Shpëtim Idrizi, Mesila Doda dhe Dashamir Shehi, janë në vende të sigurta në Tiranë.

Në Vlorë bie në sy kryesimi i listës nga një i rikthyer në PD – Bujar Leskaj.

Dy personazhe të medias, Mark Marku dhe Agron Gjekmarkaj, do të kryesojnë listën e Lezhës.

Lëvizja Socialiste për Integrim

Të majtët e qendrës kanë qenë të parët ndër të mëdhenjtë, të cilët kanë nxjerrë listën zgjedhore rreth mesditës së 8 Marsit.

Tirana është lista me emrat më influencues në LSI. Kryetarja Monika Kryemadhi, Erisa Xhixho, Petrit Vasili, Klajda Gjosha, Edmond Haxhinasto dhe Nora Malaj janë të gjithë pjesë e Tiranës. Duhet kujtuar se në vitin 2017, LSI-ja ka arritur të korrë pesë mandate në kryeqytet.

Kryemadhi garon edhe në Elbasan dhe Fier, ku kryeson listën e të majtëve të qendrës. Berati është një qark interesant për shkak të lëvizjeve të shumta që ka pësuar. Nasip Naço u largua nga LSI-ja drejt PS-së, ndërsa Lefter Maliqi, vetëm ditët e fundit mori vendimin të garonte për LSI-në.

Luan Rama kryeson listën e Vlorës. Ndërkaq, Kejdi Mehmetaj, deputetja e re në moshë, është vendosur e dyta pas Kryemadhit në Fier.

Të tjerët

Disa aleanca dhe parti janë regjistruar në zgjedhje gjithashtu.

Rreth mesditës, kanë dorëzuar listat zgjedhore Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit dhe Lëvizja e Re e kryesuar nga Arian Galdini. Emra të spikatur në këto lista nuk ka, përtej Topallit e cila garon në Lezhë, Shkodër, Durrës dhe Tiranë.

Nisma Thurje, një alternativë e reklamuar shumë së fundmi, ka mbledhur disa emra të cilët do të hidhen në fushëbetejë. Rudina Hajdari do të prijë Elbasanin si qark elektoral.

Panajot Soko, do të kryesojnë ndërkaq listën e Tiranës. Kryetari i Nismës, Endrit Shabani, garon në Durrës si numër një. Në Tiranë dhe Korçë ndërkohë, ai është numri dy.

Rreth mesnatës ka dorëzuar listën edhe Partia Socialdemokrate e Tom Doshit, i cili do të futet në garë edhe në Tiranë. Lëvizja Demokratike e Myslym Murrizit, do ta shohë këtë të fundit të garojë në Elbasan, Korçë, Fier dhe Tiranë.

Beteja për 140 ulëset e Kuvendit, de jure hapet më 24 mars. De facto, ajo tashmë ka nisur!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore