Shqipëria

Llatja me “këmbë në tokë” për Elbasanin


Pas katër vjetësh në krye të Bashkisë, vendaliu nga Elbasani kërkon sërish një mandat të dytë.

Tradicionalisht i majtë, Gledian Llatja kandidon përballë alternativës së opozitës Luçiano Boçi.

Socialisti kërkon të rimarrë udhëheqjen. Dhe për këtë ka një sërë premtimesh, me një plan të detajuar.

“Elbasani, një nyje e rëndësishme lidhëse ekonomike dhe infrastukturore në rajon”. Ky është qëllimi primar.

Në një prononcim për Albanian Post, Llatja thekson se në këto katër vite ka bërë një sërë investimesh dhe ka zbatuar një sërë projektesh për qytetin e Elbasanit dhe njësitë administrative.

“Vizioni për bashkinë Elbasan parashikon projektin më të madh në vend por jo vetëm, atë të Automoto Parkut, një hap historik për automotorizimin shqiptar dhe aktivitetet automobilistike. Cirkuiti i parë shqiptar me pistë 5.3 km në qytetin e Elbasanit, sipas standardeve të FIA. Ky projekt do të kthehet në një destinacion tërheqës për garuesit e huaj dhe do të zhvillojë turizmin dhe ekonominë vendase duke e kthyer Elbasanin në epiqendrën e rajonit për organizimin e ngjarjeve sportive motorike”.

Gjithashtu ai ravijëzon se një tjetër investim që synon edhe rregullimin e trafikut në qytet është ndërtimi i Bypass-it të Elbasanit.

“Për të shmangur rritjen e volumit të trafikut që i drejtohet Juglindjes së vendit, është parashikuar ndërtimi i Bypassit të Elbasanit, pasi unaza aktuale e qytetit të Elbasanit, nuk ka parametrat e nevojshme për të përballuar trafikun në rritje të këtij korridori ndërkombëtar, duke shmangur kështu zonat urbane, rritjen e kapacitetit të lëvizjes së trafikut përgjatë korridorit VIII si dhe rritjen e sigurisë si për përdoruesit e rrugës, ashtu edhe të banorëve të zonave përreth, që ndikohen nga ky aks rrugor”.

Llatja, në analizën që bën për këtë katër vjeçar, thekson se i ka kushtuar një rëndësi shumë të madhe investimit në zonat informale në qytet duke i kthyer ato në zona urbane.

Kjo, “sipas standardeve normale të një lagjeje moderne ku banorët nuk do hasen më me vështirësi apo mungesa që i kanë hasur për rreth 30 vite pa asnjë ndërhyrje nga pushteti vendor”.

“Tjetër vizion për këtë 4 vjeçar, nuk mund të lihet pa përmendur edhe Lungo Fiume, buzë Shkumbinit, një park dhe shëtitore e re që do i shtohet qytetit të Elbasanit dhe që do u dhurojë qytetarëve një hapësirë të re gjelbërimi dhe argëtimi. Ky investim do të sjellë shumë zhvillim për qytetin e Elbasanin”.

Projekte të tjera që janë në vëmendjen e kyetarit aktual të bashkisë, ku disa prej tyre tashmë janë në punë e sipër janë edhe “rijetësimi i kalasë së Elbasanit, rikonstruksioni i rrugës së Gjinarit dhe Funarit, dy prej njësive më të rëndësishme të turizmit malor në Elbasan”.

Gjithashtu në fushën e arsimit, Llatja bën me dije se ka si vizion ndërtimin e dy shkollave, ndërtimin e Muzeut të Arsimit, krijimin e qytetit të fëmijëve dhe ndërtimin e Muzeut të Telekomunikacionit.

Ndër të tjera, ai ravijëzon se qëllimi kryesor është rritja e cilësisë së jetës së qytetarëve.

Për këtë “kam ndërmarrë shumë iniciativa dhe projekte që synojnë zhvillimin ekonomik të qytetarëve, një vend atraktiv dhe të pastër për të jetuar dhe zhvilluar aktivitetin e përditshëm qytetarët”.

Dhe për ta mbyllur artikullin, jo vizionin dhe punën e kandidatit, ai thekson se është për qytetarët dhe janë premtime të realizueshme.

“Nuk premtoj çudira, siç është edhe premtimi i kundërshtarit tim “Elbasani një skenë filmi”, por “synoj ta kthej Elbasanin në një nyje të rëndësishme lidhëse ekonomike dhe infrastukturore në rajon”.

Elbasani: aty ku harmonizohet zhvillimi bujqësor, blegtoral dhe eko-turistik me atë infrasktrukturor dhe industrial.

‘Xhepat’ e Elbasanit, në duart e dy kandidatëve vendorë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore