Shqipëria

Listat zgjedhore: Afati përfundon sot


Afati përfundimtar i dorëzimit të listave zgjedhore nga subjektet politike përfundon në 24:00 të datës 8 mars. Data e përcaktuar nga KQZ është 16 ditë përpara nisjes zyrtare të fushatës.

Ky vit do të shohë përballë tri lista kryesore që do të përpiqen të rrokin mandatet: atë të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Falë ndryshimit të formulës, me përfshirjen e emrave në listat e çdo partie dhe mundësisë për çdo kandidat për t’u zgjedhur pavarësisht renditjes, përzgjedhja e tyre mund të jetë vendimtare në përcaktimin e mandateve.

Pamundësimi i koalicioneve parazgjedhore është gjithashtu një aspekt i rëndësishëm për të mos u nënvlerësuar. Për shkak të formulës, aleatët PD-LSI morën vendimin të garojnë me lista të vetme. Ky hap do të kërkojë plotësimin e 140 emrave nga secila parti.

Vetëm pak orë larg përfundimit të afatit, cilat priten të jenë surprizat e listave?

Partia Socialiste e ka deklaruar që herët garimin si subjekt i vetëm në zgjedhje. Fitorja e vitit 2017 me 74 mandate, i ka dhënë besim kësaj force politike se mund t’ia dalë sërish.

Nga radhët e socialistëve, surprizat janë paralajmëruar më herët nga kreu i tyre, Edi Rama. Vasilika Hysi ishte komponenti i parë i PS-së që deklaroi se 2021-shi nuk do ta shohë më në garë për një karrige në Kuvend.

Vetëm një ditë më pas, Rama, gjatë një prezantimi të programit të shëndetësisë, zbuloi një sekret për gjithë ndjekësit e tij. Shefja e infektivit, Najda Çomo, do të ishte pjesë e listës së PS-së. Ditën pasuese, një ftesë shkoi edhe për inxhinieren e mirënjohur, Luljeta Bozo. Kjo e fundit e pranoi ftesën e kryeministrit për t’iu bashkuar socialistëve në garë.

PS-ja do të rishohë të kandidojnë për të edhe ish-eksponentë të larguar drejt forcave të tjera. Ndër ta, më kryesori, Nasip Naço në Berat. Ftesën këtij të fundit, Rama ia bëri rreth dy muaj më parë, nëpërmjet një videoje ku kryeministri shfaqej me Lefter Kokën.

Vetë Koka, një ish në LSI, do të jetë pjesë e PS-së këto zgjedhje.

Demokratët do të ndryshojnë sërish?

Partia Demokratike, veçanërisht kryetari i saj, Lulzim Basha, vendosën të kryenin një proces përzgjedhës të kandidatëve të tyre këtë vit zgjedhor.

Kjo u nda në disa faza. Fillimisht, bazat strukturore vendore, propozuan kandidatët e tyre. 3 mijë e 648 emra përmbyllën propozimet.

Pas fazës së parë së përzgjedhjes ndërkohë, 946 emra vazhduan garën. Nëpërmjet një komisioni të vendosur për përzgjedhjen përfundimtare të kandidatëve, u zhvillua faza e dytë. Prej këtij komisioni, rreth 300 emra ishin ata të pranueshëm për të qenë pjesë e listës.

Ndër emrat më të spikatur të lënë jashtë, ishin Dr. Halim Kosova, ish-deputeti Ervin Salianji apo Klevis Balliu – dy zëra të fortë opozitarë gjatë katër viteve opozite.

Por, pavarësisht kësaj, fjala e fundit i mbetet kryetarit të PD-së, Bashës.

Sipas burimeve, pavarësisht se u la jashtë liste, Salianji pritet të jetë kandidat në Korçë. Një tjetër burim për Albanian Post, ka bërë me dije se në disa qarqe të vendit, PD-ja do të hedhë në garim kandidatë të rinj.

Kasta e vjetër politike e demokratëve thuajse është zhdukur rrënjësisht. Ndër ta, Edi Paloka mbetet ai më i spikaturi. Grida Duma pritet të jetë zë i fuqishëm këto zgjedhje. Rrugë e hapur i është lënë edhe kreut historik të PD-së, Sali Berisha, për të garuar në qarkun ku dëshiron.

Për herë të parë, në listë do të futet edhe kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi.

LSI – Midis largimeve dhe prurjeve

Lëvizja Socialiste për Integrim ka pasur vetëm ngritje që prej daljes së saj në fushën e betejës zgjedhore. Këtë vit gjithsesi, për shkak të shumë dinamikave të reja, LSI-ja pritet të ketë rënie të elektoratit sipas sondazheve.

Kjo, edhe për shkak se shumë zëra janë larguar nga forca majtiste e qendrës drejt të majtëve klasikë – Partisë Socialiste.

Largimet kryesore janë në Berat, por kjo nuk përjashton edhe qarqe të tjera. Ndërkohë që po në Berat, një figurë si ajo e Lefter Maliqit i bashkohet LSI-së.

Forca, e cila ka përcaktuar rrjedhën politike të dy nga tre zgjedhjeve të fundit, nuk ka bërë të qartë gjithsesi se si do të paraqitet këto zgjedhje.

Emra si Petrit Vasili, Klajda Gjosha apo Erisa Xhixho priten të jenë në listë, për shkak edhe të peshës që mbartin në LSI.

Dalja me listë më vete u konfirmua javën e fundit të shkurtit nga partia e tretë në vend. Të hapura për garim në listën e PD-së janë lënë vetëm qarku i Kukësit dhe Dibrës.

Një listë që pritet me interes nga publiku, është ajo e Nismës Thurje, e cila garon për herë të parë në zgjedhje.

Vetëvendosje ndërkohë, për herë të parë hedh në betejën zgjedhore vetëm tre kandidatë të pavarur, në Tiranë, Lezhë dhe Gjirokastër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore