Lajme

“Lironi të burgosurit amerikanë, ose s’ka nënshkrim të paktit bërthamor me Iranin”


Autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) nuk do të arrijnë një marrëveshje me Iranin, nëse Teherani nuk liron katër qytetarë amerikanë që autoritetet nga Washington-i thonë se po mbahen peng.

Kështu ka deklaruar negociatori kryesor bërthamor i SHBA-së, parë kjo si mënyrë për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore të Iranit, nënshkruar në vitin 2015.

I dërguari special i SHBA-ve për Iranin, Robert Malley, përsëriti qëndrimin e gjatë të SHBA-ve se, çështja e katër personave të mbajtur në Iran është e ndarë nga negociatat bërthamore. Megjithatë, ai tha se lirimi i tyre ishte parakusht për marrëveshjen bërthamore.

“Ata janë të ndarë dhe ne po i ndjekim të dy këto çështje. Por, është shumë e vështirë që të rikthehemi te marrëveshja bërthamore, ndërsa katër amerikanë të pafajshëm mbahen peng nga Irani”, tha Malley.

Në vitet e fundit, Garda Revolucionare Elitare e Iranit ka arrestuar dhjetëra shtetas të huaj, për spiunazh dhe akuza të lidhura me sigurinë.

Grupet e të drejtave të njeriut e kanë akuzuar Iranin për marrjen e të burgosurve, për të fituar më tepër fuqi diplomatike.

Ndërsa fuqitë perëndimore kanë kërkuar prej kohësh që Teherani t’i lirojë qytetarët e tyre, të cilët thonë se janë të burgosur politikë.

Nga ana tjetër, autoritetet në Teheran mohojnë se kanë mbajtur njerëz për arsye politike.

Malley, në një intervistë të përbashkët me Barry Rosen, tha se asnjë marrëveshje bërthamore nuk arrihet pa lirimin e pengjeve.

Ai është një ish-diplomat amerikan 77-vjeçar, i cili ka qenë në grevë urie, në Vjenë, për të kërkuar lirimin e të burgosurve amerikanë, britanikë, francezë, gjermanë, austriakë dhe suedezë në Iran.

Gjithashtu dhe një nga 50 diplomatë amerikanë të mbajtur gjatë krizës së pengjeve të Iranit, 1979-1981.

Bisedimet indirekte mes Iranit dhe SHBA-ve për kthimin e të dy vendeve në përputhje të plotë me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, janë në raundin e tyre të tetë.

Irani refuzon të mbajë takime me zyrtarë amerikanë, që do të thotë se të tjerët kalojnë mes dy palëve.

Marrëveshja midis Iranit dhe fuqive të mëdha hoqi sanksionet kundër Teheranit në këmbim të kufizimeve në aktivitetet e tij bërthamore që zgjatën kohën, që do t’i duhej për të siguruar materiale të mjaftueshme të zbërthyeshme, për bombën bërthamore.

Irani mohon të kërkojë armë bërthamore.

Marrë nga Reuters, përshtatur për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore