Lajme

Lirohet aktivisti i PDK-së që ‘mbuloi’ Martin Berishajn me dinarë të Serbisë


Fotografi e shkëputur nga aksioni i PDK-së

Është liruar aktivisti i Partisë Demokratike të Kosovës, Milot Krasniqi, i cili mbuloi me dinarë të Serbisë ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, në shenjë proteste për aferën financiare që është përfshirë dhe tregtimin e energjisë me kompaninë GEN-I me seli në Beograd.

Lajmin për lirimin e tij e ka bërë të ditur kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ndërsa ka thënë se ai që do të duhej të arrestohej është vetë Berishaj, “për aferën e dyshimtë korruptive dhe për dëmin e madh që i ka shkaktuar imazhit të Kosovës”.

“Janë miliona euro që Ambasadori Berishaj i ka marrë nga kompania GEN-I me seli në Beograd, disa kallëzime penale të ngritura e dhjetëra raportime të mediave ndërkombëtare për aferën skandaloze, që kërkojnë sjelljen e tij para drejtësisë”.

“I vetmi vend ku Martin Berishaj do të duhej të fliste është para organeve të drejtësisë, e jo nëpër konferenca. Për të vërtetën dhe llogaridhënien e plotë të kësaj afere nuk do të ndalemi deri në zbardhjen e plotë të saj!”, shtoi Krasniqi.

Ndryshe, për aktivitetin e tij, Berishaj po hetohet në Kosovë nga Prokuroria Themelore për mos-deklarim të pasurisë dhe nga Prokuroria Speciale për evazion fiskal dhe shpëlarje parash.

Deri më tani, Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, i janë vënë në mbrojtje Berishajt dhe thonë se s’kanë arsye ta shkarkojnë.

Informacionet e fundit nga mediat sllovene thonë se Berishaj me një pjesë të këtyre milionave që i mori nga GEN-I në Beograd i ka financuar fushatat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo. Albanian Post këto informacione për financim fushatash akoma nuk i ka vërtetuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore