Shqipëria

Linda Rama në retrospektivë, çfarë shkoi keq pas viteve ’90


Bashkëshortja e kryeministrit shqiptar, Linda Rama i kthehet me rezerva viteve ’90 duke kujtuar se çfarë shkoi keq në atë periudhë.

Fillimisht në një intervistë ekskluzive për Albanian Post ajo rrëfen se në Shqipëri, e ashtuquajtura “terapia e shokut” u zbatua në një formë jo vetëm agresive po edhe më një nivel verbërie të frikshme.

Kjo, mes një kaosi social që i ndikoi vendimmarrjet mbi reformat, po sidomos zbatimin e tyre kuturu në fillimvitet ’90 si një haraç për t’i paguar të shkuarës.

“Në vendet e tjera të lindjes, rënia e murit komunist ishte një rikthim në kohërat kur ekonomia e tregut funksiononte me ligjësitë, institucionet dhe pronarët e saj, kurse në Shqipëri jo vetëm që e shkuara nuk ofronte kulturë tregu, sipërmarrës dhe institucione tregu, por asaj i mungonte gjithashtu elita e përgatitur politike dhe ekonomike që mendonte ndryshe dhe jashtë shablloneve të ideologjisë marksiste-leniniste”, vëren ajo për AP-në.

Rama mendon se mungesa e kësaj elite ishte dhe dëmi dhe varfëria më e madhe që komunizmi i bëri “peshqesh” Shqipërisë së viteve ’90.

Ajo arsyeton se privatizimi i pronës shtetërore në Shqipëri më së shumti ndodhi së bashku me “rrënimin e saj, ku shteti gjendej vijimisht nën trysninë e interesave individuale”.

Këtu, Linda Rama kujton dhe evidenton ish punonjës dhe drejtues, të palëve potenciale përfituese si ish pronarët dhe ish të përndjekurit politikë dhe për më tepër, të preferencave të partive politike dhe eksponentëve të tyre.

“Ata e kuptuan shumë shpejt që privatizimi ishte pushtet”, vijon bashkëshortja e kryeministrit shqiptar.

Ajo shton se u bënë përpjekje edhe për të ristrukturuar disa dhjetëra ndërmarrje shtetërore për t’i bërë më tërheqëse për investitorët, por pa rezultat.

“As modeli i zgjedhur për privatizimin e ndërmarrjeve të mëdha me ankand apo nëpërmjet privatizimit masiv, si një formë më e thjeshtuar e atij të përdorur pothuaj në të gjitha vendet e lindjes, nuk mundi të krijonte institucione të qëndrueshme të tregut të kapitaleve si fondet e investimeve dhe bursën”, thotë Rama.

Pyetjes se çfarë mund të bëhej ndryshe, ajo shprehet se është më e lehtë sot të mendosh dhe të gjykosh.

“Ajo që mund të them”, pohon Linda Rama, “është se privatizimi i ndërmarrjeve krijoi pronë private dhe pronarë të rinj, por përgjithësisht dështoi të krijonte pronarë realë, aktivitet ekonomik, kulturë tregu dhe institucione të kapitaleve”.

Sipas saj, duke e shpërdoruar rëndë shansin për të fituar kohën e humbur për disa dekada, ajo Shqipëri u bë edhe “një shembull ulëritës i peshës së pashmangshme të historisë mbi të ardhmen e një vendi”.

Më poshtë mund të lexoni intervistën e plotë të Linda Ramës për Albanian Post

Linda Rama, distanca higjenike nga fuqia e së keqes dhe mungesa e ndërgjegjjes

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore