Lajme

Limaj për takimin e 2 majit në Bruksel: Ndërmjetësit do të takohen me dy njerëz të papërgjegjshëm


Fatmir Limaj, Kryetar i NISMA-s

“Ndërmjetësit do të kenë rastin të ballafaqohen me dy njerëz të cilët janë të pa përgjegjshëm”, ka deklaruar Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, për takimin e dy majit në Bruksel, i cili do të mbahet në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Besoj që këtu fillon një lloj ping pongu, ajo pjesë e lojës që ata dy dinë ta bëjnë më së miri”, ka thënë më tej Limaj, duke shtuar se në këtë takim, do të insistohet që të fillojë implementimi marrëveshjes së Ohrit.

“Si Vuçiçi si Kurti në funksion të manipulimit të popujve. Ndërmjetësit do të ballafaqohen me dy njerëz të pa përgjegjshëm. Që një ditë japin fjalën, ditën tjetër ndezin luftën, ditën e tretë bëhen paqësor ose mbrojtës të vlerave demokratike. Po unë besoj që ata janë futur në një qoshe dhe unë besoj që ndërmjetësit në këtë rast BE dhe SHBA-ja siç po shihte do të insistojnë në fillimin e implementimit të asaj që ata janë dakorduar edhe në Bruksel edhe në Ohër dhe kjo nënkupton që do të fillojë implementimi i asaj marrëveshje”.

“Kjo mund të mos ndodh me të dytin por jam i bindur që ata nuk do të tërhiqen nga zotimet që ju kanë marrë të dyve”, ka dekalruar Fatmir Limaj, për EkonomiaOnline.

Sipas Limajt, asociacioni i ardhur pas dialogimit të Kurtit është më i dëmshëm sesa ai i vitit 2015, të cilin Gjykata Kushtetuese e kishte hedhur poshtë për mundësinë e krijimit të një pushteti të tretë.

Ndërsa me marrëveshjen aktuale në Ohër, Asociacioni ka kompetenca ekzekutive.

“Më e keqe është dhe ju do ta shihni gjatë implementimit. Në këtë marrëveshje ata i kanë ikur vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Pika e shtatë i ikë vendimit të Gjykatës Kushtetuese kështu që fatkeqësia është që do të shihni Asociacion me kompetenca ekzekutive të implementuar’.

‘Do ta shihni draft statutin kur të propozohet, po do ta shihni që krejt ajo që e ka hedhur Gjykata Kushtetuese ju do ta shihni statutin e ardhshëm në mënyrë të sofistikuar, kamufluar siç është pika e shtatë”, u shpreh Limaj, teksa thotë se me këtë marrëveshje, komunat veriore me Asociacion do të kenë kryetarin, stemën dhe bordin ekzekutiv.

Sipas Limajt, Kosova është shkatërruar si në aspektin diplomatik ashtu edhe në atë ekonomik, për çka përgjegjës lë udhëheqësit e dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021.

“Kosova ra viktimë e atij narracioni të aventuristëve, të njerëzve që kurrë nuk kanë ndjerë dhimbje për fatin e vendit të tyre, dolën ma patriot se ata të cilët kishin sakrifikuar për këtë vend. Të gjitha këto sollën atë qe e kemi sot, për dy vite kemi arritur për një mend të shkatërrohet krejt çka është ndërtuar edhe në aspektin diplomatik, ekonomik, social në këtë vend”.

“Kjo është arritur që Serbia të fitoj një marrëveshje që e pa imagjinueshme ka qenë para tre apo pesë viteve. Është arritur që të bëhet një deziintegrim total të veriut, ajo që për 10 vite ishte investuar për integrimin e asaj pjese, për një vit është shkatërruar. Vula e atij shkatërrimi është bërë me zgjedhjet e fundit. Në çdo sektor publik të Kosovës kemi degradim, përmbysje”, u shpreh Limaj.


Me 2 maj, do të mbahet takimi i radhës në Bruksel në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Të martën, do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti i Serbisë, Alexandar Vuçi me ndërmjetësim të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe të dërguarit special të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak.

Dy do të jenë temat që do të diskutohen në mes të Kurtit dhe Vuçiç-it në këtë takim: Miratimi i deklaratës për të pagjeturit dhe paraqitja e draft-statutit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kështu të paktën ka bërë të ditur zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano në një konferencë për media këtë të premte.

“Takimi do të përqendrohet në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve. Si pikë e parë e agjendës do të jetë miratimi i Deklaratës për të pagjeturit. Pika e dytë do të jetë paraqitja e draftit të parë të statutit për formimin e Asociacionit. Pas këtyre dy temave do të shihet sesa mund të diskutohet edhe për çështje të tjera”, ka thënë Stano.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore