Lajme

Ligji për Zgjedhjet, Hoti: Avancon procesin zgjedhor në tri aspekte


Ish-kryeministri i Kosoves, Avdullah Hoti.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka përshëndetur miratimin e Ligjit për Zgjedhjet, i cili sipas tij “e avancon procesin zgjedhor në tri aspekte”.

Përmes një postimi një rrjetin social “Facebook”, Hoti si aspekt të parë tha se është shkaku që “i gjithë procesi zgjedhor është më i sigurt, duke filluar nga faza e përgatitjes së listës zgjedhore, përgatitjes dhe shpërndarjes së materialit zgjedhor, organizimit të vendvotimeve, identifikimin e votuesve fizikisht dhe ata me postë, e deri tek numërimi i votave dhe shpallja e rezultateve”.

“E bën procesin zgjedhor më të lehtë dhe më efikas, që nënkupton më pak kohë dhe më pak shpenzime për çdo fazë të procesit zgjedhor”, arsyeja e dytë sipas tij.

Ndërkaq, ish-kryeministri i Kosovës theksoi se e mira e tretë e këtij ligji është se “zbaton standardet evropiane të transparencës, barazisë në proces, rregullon më mirë fushatën zgjedhore dhe funksionimin e mediave gjatë fushatës, përfshirë mediat sociale”.

Ndryshe, edhe Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, tha se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme “pa asnjë mëdyshje” është reforma më thelbësore zgjedhore që ka ndodhur në Kosovë përgjatë dekadës së fundit.

Kuvendi i Kosovës në seancën e së enjtes, me 86 vota pro e asnjë kundër, ka miratuar projektligjin për reformën zgjedhore, prandaj kreu i partisë më të madhe opozitare në vend e vlerësoi lartë këtë proces, të cilin e ka udhëhequr PDK-ja.

Në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme janë adresuar rekomandimet e misioneve vëzhguese të Bashkimit Evropian,  Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të organizatave të shoqërisë civile, ndërsa kreu i PDK-së falënderoi për ndihmën dhe mbështetjen edhe partnerët ndërkombëtarë.

“Reformat dhe lehtësirat në votim e proces administrativ janë rrënjësore dhe do ta bëjnë diferencën në zgjedhjet e radhës – duke mundësuar një proces zgjedhor edhe më demokratik, më transparent dhe më me integritet”, shkroi Krasniqi në llogarinë e tij.

Ai ndër të tjera njoftoi se për mërgimtarët kanë lehtësuar procesin e regjistrimit të tyre, duke u krijuar mundësinë që të votojnë nëpër ambasadat dhe konsullatat e Kosovës, por edhe që të dërgojnë fletëvotimet e tyre përmes postës në shtetet ku jetojnë – duke eliminuar shpenzimet e shumta që ata kanë pasur.

“Votuesit në vendin tonë, qysh në zgjedhjet e përgjithshme të radhës, do të kenë mundësi të votojnë deri në dhjetë kandidatë, nga pesë sa kanë pasur deri tash, duke u dhënë më shumë mundësi për të zgjedhur përfaqësuesit që ata dëshirojnë”.

“Për të rritur transparencën dhe për të eliminuar dyshimet dhe parregullsitë, votat për deputetë do të numërohen nën monitorim të shtuar nëpër qendra komunale të numërimit dhe jo në vendvotime, ku do të numërohen vetëm votat për subjektet politike”, shtoi ai.

Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë përcakton rregullat e organizimit të sistemit zgjedhor, duke përfshirë rregullat për përgatitjen, zhvillimin, administrimin, mbikëqyrjen dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.

Ligji për Zgjedhjet, Krasniqi: Do ta bëj diferencën në zgjedhjet e radhës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore