Lajme

Ligjet e BE-së për farmaceutikën dhe bankat ngecin në përkthim


Pjesë të legjislacionit të Bashkimit Evropian në sektorë të tillë si bankat dhe farmaceutikët, përballen me vonesa të mëdha.

Kjo sepse për të përkthyer dokumentet nevojitet shumë kohë, sipas Parlamentit Evropian.

Referuar zyrtarëve, përkthyesit janë përmbytur nga propozimet e gjata dhe të komplikuara nga Komisioni Evropian në përgjigje të luftës në Ukrainë dhe në luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Ligjvënësit, me më pak se një vit të mbetur nga shpërbërja e parlamentit të BE-së përpara zgjedhjeve të vitit 2024, po përballen me rreth 200 legjislacione që ende kërkojnë votën e tyre.

Ndaj dhe kanë paralajmëruar se koha mund të jetë shumë e shkurtër për t’i miratuar të gjitha.

Zyrtarët parlamentar kanë thënë se nuk kishin marrë ende kopje të përkthyera të propozimeve për të përditësuar sistemin e menaxhimit të krizave bankare të BE-së dhe përmirësimin e sigurimit të depozitave, të cilat u miratuan në prill.

Për çdo 100 faqe duhen 30 ditë për t’u përkthyer, sipas një zyrtari.

“Parlamenti shpesh akuzohet se ka marrë kohë dhe komisioni thotë se duhet të përdorë procedura urgjente duke na anashkaluar”, ka treguar një zyrtar i parlamentit.

Por i gjithë legjislacioni, qoftë i miratuar në procedura urgjente apo të rregullta, duhet të përkthehet në 24 gjuhë zyrtare dhe të kontrollohet nga avokatët përpara se të hyjë në fazat përfundimtare të negociatave.

Ligji përfundimtar duhet të përkthehet edhe një herë.

Roberta Metsola, presidentja e parlamentit, i ka shkruar homologes së saj në komision, Ursula von der Leyen, në prill për t’u ankuar për vonesat.

Sipas saj, ato ishin “të pakënaqshme” dhe duhet të shkurtohen.

“Nëse dosjet do të finalizohen përpara zgjedhjeve evropiane në qershor 2024, parlamenti duhet të jetë në gjendje të fillojë të punojë mbi to pa ndonjë vonesë të panevojshme”, ka shtuar ajo.

Pascal Canfin, një eurodeputet francez që kryeson komitetin e mjedisit, ka thënë se “një qasje e tillë është e papranueshme”.

Ai dhe ligjvënës të tjerë janë ankuar se komisioni kishte marrë parasysh vonesat edhe më të gjata, deri në shtatë muaj e gjysmë – një perspektivë që ata e përshkruan si të papranueshme dhe për të ardhur keq nën dritën e rëndësisë së rregullave shëndetësore.

Komisioni ka thënë se “rishikimi i tregut farmaceutik është një reformë kyçe në fushën e shëndetësisë. Është gjithashtu një paketë komplekse, teknike dhe e madhe prej gati 950 faqesh”.

Përtej vonesave në legjislacionin e ri, po ashtu ka shqetësime se negociatat midis komisionit, parlamentit dhe vendeve anëtare për reklamat politike do të zvarriten, duke humbur zgjedhjet e ardhshme.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore