Shqipëria

“Lidhjet politike nuk do të mbrojnë askënd nga SPAK-u”


Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja, në tryezën e thirrur në kuadër të “5 vjet nga Reforma në Drejtësi”, ka thënë se “lidhjet politike nuk do të mbrojnë askënd nga SPAK-u”.

Ai bëri me dije se Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) do të ketë gati hetuesit e parë të saj.

“Ka nevojë për analiza, që të shikojmë se ku do shkojmë përpara. SPAK ka një vit e gjysmë që ushtron aktivitet, por kjo është periudhë e mjaftueshme për të parë se çfarë kemi arritur”, tha Kraja.

Gjatë fjalës së tij, kreu i Prokurorisë së Posaçme është shprehur falënderues ndaj Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), për shtimin e dy prokurorëve të rinj, Adnan Xholi dhe Dorina Bejko.

Kraja theksoi se konsolidimi i strukturave do të vijojë me grupin e parë të BKH-së, e cila është pothuajse gati për të filluar punë.

Sipas tij, do të vijojë “ndëshkueshmëria me vendime të formës së prerë”.

“Po ashtu”, tha ai, edhe “konfiskimet e pasurive nga aktiviteti kriminal dhe hetimet ndaj zyrtarëve dhe jo zyrtarëve”.

Në përmbyllje të fjalës, ai vuri theksin se t’u shkohet deri në fund çështjeve, pavarësisht personave që janë të përfshirë.

Sipas tij, në fazën e tretë të konsolidimit të sistemit të drejtësisë, do të duken dhe rezultatet.

Si funksionon SPAK-u?

Kjo strukturë, së bashku me Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të njohur edhe si Gjykata Speciale, ka si qëllim hetimin dhe gjykimin e të gjitha veprave penale për korrupsion ndaj ish-pushtetarëve dhe atyre aktualë.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si organi përgjegjës për hetimin dhe ndjekjen penale në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfaqëson akuzën përpara gjykatave të posaçme.

Kjo Prokurori drejton dhe kontrollon hetuesit dhe shërbimet e Policisë Gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Prokurorët e saj zgjidhen për një mandat nëntëvjeçar pa të drejtë riemërimi.

Hetuesi emërohet në detyrë, për jo më pak se shtatë vjet, dhe gëzon statusin e oficerit të Policisë Gjyqësore.

Ndërkohë Byroja Kombëtare është e përbërë edhe nga shërbimet e Policisë Gjyqësore, që kanë për qëllim rritjen e bashkëpunimit dhe komunikimit midis Byrosë dhe institucioneve të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore