Kosova

Liderët kosovarë: Koha që Evropa të na i hapë dyert


Në Ditën e Evropës, liderët kosovarë kanë bërë thirrje që qytetarëve t’u mundësohet lëvizja e lirë dhe vendi të lëvizë drejt integrimit evropian.

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, përmes një postimi në Facebook ka uruar ditën e Evropës, ku ka kërkuar që Evropa t’i hapë dyert për Kosovën, vendin më pro-evropian në botë.

“Tradicionalisht në këtë ditë, institucionet e BE-së i hapin dyert e tyre për publikun. Ka ardhur koha që ato t`i hapin dyert e tyre për Kosovën”, ka shkruar Osmani në Facevook.

Përmes një deklarate në Twitter, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se për njerëzit e Kosovës, Bashkimi Evropian është më shumë se struktura dhe institucione.

“BE është vlerë dhe një vizion i cili duhet të shpërndahet”.

“Bashkimi Evropian është treguar i vonuar në proceset e integrimit të Kosovës brenda familjes evropiane dhe kjo ëndërr gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një zhgënjim kolektiv për qytetarët e shtetit tonë”.

Kështu është shprehur përmes një shkrimi në Facebook, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në Ditën e Evropës, duke shtuar se Dita e Evropës e gjen Kosovën jo vetëm pa statusin e kandidatit, por edhe pa liberalizim të vizave, e ndërsa qytetarët e saj në një getoizim të pashembullt.

Sipas tij, përveç se diskriminim dhe padrejtësi kufizimi i lirisë së lëvizjes është edhe shmangie nga parimet e një Evrope pa kufij.

Ai tutje ka thënë se “pa Kosovën mozaiku i familjes së bashkuar evropiane nuk mund të quhet i plotësuar, sikundër as vetë ideja mbi të cilën qëndrojnë themelet e Bashkimit Evropian”.

Ndërsa kreu i PDK-së, Enver Hoxhaj ka thënë se kjo ditë e gjen Kosovën pa liberalizimin e vizave.

“Edhe 9 maji i vitit 2021, Dita e Evropës, e gjenë Kosovën pa liberalizim të vizave, pa status të kandidatit dhe fatkeqësisht, pa rrugë të qartë për të ardhmen evropiane”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij Qeveria e sotme pra Opozita e dikurshme, ka lëkundur besimin e qytetarëve të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe ka dëmtuar shumë herë progresin e arritur nga ana e institucioneve të Kosovës

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se projektet e mëdha për paqe e bashkëpunim janë shpresa për një botë më të mirë.

“Si pjesë e natyrshme e familjes europerëndimore, Kosova është përcaktuar qartë për idealet e Bashkimit Evropian. Integrimi i plotë në strukturat euro-atlantike nuk është vetëm një ëndërr, por një realitet drejt të cilit jemi përcaktuar, orientuar dhe ecim si shtet”, ka thënë ai.

Dita e Evropës është ditë ceremoniale, që shënohet më 9 maj të çdo viti, nga Bashkimi Evropian, në njohje të paqes, prosperitetit dhe unitetit të arritur brenda Evropës, që nga formimi i kësaj organizate.

Kjo ditë, në vendet anëtare, shënohet duke vendosur flamurin e Evropës.

Në Kosovë, Dita e Evropës është festë zyrtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore