Lajme

Legalizimi i kanabisit: Rreziqet dhe përfitimet shëndetësore


Performancë më të mirë gjatë seksit dhe mbrojtje nga COVID-19, kundrejt aftësisë së reduktuar të njohjes dhe dëmtimit afatgjatë – shkenca është e ndarë kur bëhet fjalë për rreziqet dhe përfitimet e bimës së kanabisit, në veçanti për të rinjtë.

Në nivel global, sipas Anketës jo-përfaqësuese Globale të Drogës 2021, kanabisi është substanca psikoaktive e dytë më e përdorur pas alkoolit. Adoleshentët dhe të rinjtë janë grupet të cilët e konsumojnë kanabisin më shpesh.

Dikur e quajtur drogë, e cila është urë kalimi për te drogat e tjera më të rrezikshme, vitet e fundit, kanabisi ka fituar më shumë pranim publik. Gjithnjë e më shumë vende po e legalizojnë konsumimin e tij për arsye rekreative.

Performancë më të mirë gjatë seksit dhe mbrojtje nga COVID-19

Pra, a është kanabisi një “helm” apo një ilaç? Në muajt e fundit janë publikuar studime të panumërta, disa që nxjerrin në pah rreziqet e mëdha, të tjera përfitimet e mëdha të bimës dhe nënprodukteve të ndryshme të saj.

Një studim spanjoll i publikuar së fundmi zbuloi se funksioni seksual përmirësohet te konsumatorët e kanabisit.

“Ky përmirësim zakonisht lidhet me një reduktim të ankthit dhe turpit, gjë që lehtëson marrëdhëniet seksuale”, thanë studiuesit.

Me fjalë të tjera: Ata që humbasin komplekset e tyre duke pirë alkool ose hashash mund të performojnë më mirë në seks.

Studiuesit amerikanë në Universitetin Shtetëror të Oregonit propozuan së fundmi kanabinoidet si një mënyrë për të parandaluar dhe trajtuar COVID-19. Kjo, sepse ato bllokojnë virusin të hyjë në qeliza, duke ofruar potencialisht mbrojtje kundër infektimit.

Studimi i tyre tregoi se acidet CBGA (acidi kanabigerolik) dhe CBDA (acidi kanabidiolik) lidhin proteinën dhe parandalojnë hyrjen e Sars-CoV-2 në qeliza, thanë studiuesit. Ndryshe nga tetrahidrokanabinoli (THC) në kanabis, CBGA dhe CBDA nuk janë psikoaktive.

Pra, lënda THC me veçori psikoaktive rrit performancën në seks dhe acidet e kanabisit mbrojnë kundër COVID-19.

Pirja e hashashit çon në probleme afatgjata të përqendrimit

Nuk mbaron me kaq. Përdorimi i kanabisit gjithashtu mund të çojë në dëmtim afatgjatë kognitiv, veçanërisht te të rinjtë, truri i të cilëve është ende në zhvillim.

Kjo u tregua së fundmi sërish nga një analizë e re e 10 meta-studimeve të botuara në revistën “Addiction”.

Analiza e të dhënave nga 43 mijë pjesëmarrës tregoi se intoksikimi nga kanabisi (i cili ndodh pas konsumimit të një sasie të madhe THC) mund të çojë në dëmtime të buta deri në mesatare të trurit. Ndikon në aftësitë vendimmarrëse, aftësinë për të shtypur reagimet e papërshtatshme ose për të mësuar diçka duke lexuar dhe dëgjuar, si dhe në kohën e nevojshme për të përfunduar një detyrë mendore. Dhe këto dëmtime mund të vazhdojnë përtej kohëzgjatjes së efektit të dehjes.

“Përdorimi i kanabisit tek të rinjtë mund të çojë rrjedhimisht në uljen e arritjeve arsimore dhe, tek më të rriturit, në performancë të dobët në punë. Këto pasoja mund të jenë më të këqija tek përdoruesit e rregullt”, tha Alexandre Dumais, profesor klinik i i Psikiatrisë në Université de Montreal.

Mesatarisht, të rriturit që konsumuan shumë kanabis kur ishin adoleshentë, performojnë më keq në testet e inteligjencës dhe priren të jenë më pak të suksesshëm në shkollë ose universitet.

Por një korrelacion i drejtpërdrejtë ende nuk është vërtetuar. Është gjithashtu e diskutueshme nëse përdorimi i kanabisit tek të rriturit mund të ketë pasoja afatgjata.

Truri i ri është veçanërisht i rrezikuar

Sidoqoftë, është e padiskutueshme që përdorimi i kanabisit mund të dëmtojë trurin e ri, pasi truri ballor nuk është pjekur plotësisht derisa një person të jetë në mesin e të 20-ave.

Nga skanimet e trurit të 800 adoleshentëve që ishin pjesë e një studimi të botuar në revistën JAMA Psychiatry qershorin e kaluar, doli se korteksi cerebral i përdoruesve adoleshentë të kanabisit është më i hollë në zona të caktuara sesa ai i moshave më të rritura.

Sipas studimit, sa më shumë kanabis të kishin konsumuar adoleshentët, aq më të theksuara ishin efektet.

Pranimi nga publiku, në rritje

Pavarësisht rreziqeve dhe efekteve anësore, si dhe ndalimeve ligjore, kanabisi është droga ilegale më e popullarizuar në Evropë. Droga të tjera të njohura si alkooli dhe duhani mund të blihen dhe konsumohen ligjërisht në Gjermani dhe shumë vende të tjera, megjithëse ato gjithashtu mund të shkaktojnë dëme serioze për shëndetin dhe për shoqërinë në tërësi.

Debati në shumë vende të botës për legalizimin e kanabisit tregon se pranimi i drogës në sytë e publikut po rritet.

Qeveria e re gjermane gjithashtu dëshiron të legalizojë kanabisin.

Marrëveshja e koalicionit mes Social Demokratëve (SPD), të Gjelbërve dhe Demokratëve të Lirë neoliberalë (FDP) thotë se do të prezantojnë shpërndarjen e kontrolluar të kanabisit për të rriturit, për qëllime rekreative, në dyqanet e licencuara.

“Kjo do të mundësojë kontrollin e cilësisë, parandalimin e shpërndarjes së substancave të kontaminuara dhe të garantojmë mbrojtjen e të miturve. Në katër vjet do të vlerësojmë ligjin dhe ndikimin shoqëror që ka pasur”.

Cilësi më e mirë përmes legalizimit?

Politikanët gjermanë thonë se legalizimi, mbi të gjitha, mund të përmirësojë cilësinë e substancave të shitura.

Vitet e fundit, kanabisi i kontaminuar është bërë gjithnjë e më i zakonshëm. Për më tepër, gjithnjë e më shumë kanabis i shitur në rrugë është i përzier me përbërës aktivë sintetikë. Këto të ashtuquajtura kanabinoidë sintetikë janë dukshëm më të rrezikshëm se THC, sepse ato intensifikojnë efektet e drogës. Konsumatorët mund të përjetojnë deluzione dhe kolaps të qarkullimit të gjakut.

Kanabisi shpesh përshkruhet nga shoqëria dhe politika si një drogë e rrezikshme e cila të katapulton tek drogat tjera më të rrezikshme. Por është e vështirë të vërtetohet se përdoruesit e kanabisit në mënyrë të pashmangshme kalojnë në droga më të forta.

Përkrahësit e legalizimit të kanabisit thonë se dekriminalizimi dhe legalizimi, së bashku me një kufi ligjor për përmbajtjen e THC dhe etiketimin e detyrueshëm të aditivëve, mund të zvogëlojë ndjeshëm rrezikun për shëndetin nëse droga shpërndahet përmes agjencive legalë, të kontrolluar nga shteti.

Nëse përdoruesit e rinj të kanabisit nuk duhet të fshihen më, thonë avokatët, kjo do të thotë gjithashtu se shërbimet e terapisë dhe parandalimit mund të ofrohen më hapur. Të rinjtë mund të mësojnë për rreziqet e konsumit të kanabisit dhe të flasin për problemet e tyre në shtëpi dhe në shkollë pa frikën e ndëshkimit ligjor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore