Shqipëria

LDK për Albanian Post: Begaj duhet ta takonte në seli Abdixhikun, s’pati kërkesa specifike për sigurinë


Keqardhje për mosrealizimin e takimit, por asnjë tërheqje nga qëndrimi i refuzimit të takimit.

Në një deklaratë për Albanian Post nga zyra e shtypit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, zëdhënësja politike, Sibel Halimi, ka theksuar se forca politike që përfaqëson, i vlerëson si qenësore raportet e mira të Kosovës me Republikën e Shqipërisë dhe për këtë arsye, në vazhdimësi ka pasur komunikim të rregullt me të gjitha krahët politike.

Mirëpo, në rastin e vizitës së presidentit shqiptar, Bajram Begaj dhe refuzimit të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për ta takuar atë jo në selinë e Kuvendit të Kosovës por në godinën e partisë, çështja është kthyer në madhore.

“Ashtu siç kemi bërë të ditur, Lidhja Demokratike e Kosovës shprehë keqardhje për mosrealizimin e takimit tonë zyrtar me Presidentin e ri të Shqipërisë, Shkëlqesinë e Tij, z. Bajram Begaj; me rastin e vizitës së tij të parë në Kosovë”, shkruhet në përgjigjen e ardhur nga LDK-ja, pyetur nga Albanian Post mbi çështjen.

Sibel Halimi, zëdhënëse politike LDK

Sqarimin ndërkaq, e gjejnë tek një rast i ngjashëm, i vizitës së presidentit malazez, Milo Gjukanoviç, realizuar më herët.

Në këtë takim mes Gjukanoviçit dhe Abdixhikut, nga LDK-ja sqarojnë se janë kërkuar masa shtesë për arsye sigurie. Ndaj, takimi është mbajtur në një hotel në Prishtinë.

Nga ana tjetër, një kërkesë e tillë këtë herë, nuk ka ardhur nga Presidenca shqiptare, për vizitën e kreut të shtetit, Begaj. Për këtë arsye, zhvendosja e takimit nga selia e LDK-së në godinën e Kuvendit, ka qenë e pabazuar.

Është kjo thjesht një anomali protokollare? Apo fshihet diçka tjetër pas?

Redaksia e Albanian Post, në vazhdimësi po kërkon të komunikojë me zyrën e presidentit Begaj për të kuptuar se si qëndron çështja, por asnjë përgjigje nuk ka ardhur deri në shkrimin e këtij lajmi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore