Kosova

Latifi: Serbia fitoi Asociacionin dhe fuqizim të madh Kishës Serbe


Profesori i filozofisë dhe komentatori politik, Blerim Latifi, ka theksuar se sipas marrëveshjes së arritur këtë të hënë në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuiçiç në ndërmjetimin e Bashkimit Evropian, Serbia ka fituar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, dhe “fuqizim të madh Kishës Serbe”.

“Serbia fitoi Asociacionin, me një emër tjetër, një fuqizim më të madh të Kishës Serbe në Kosovë dhe heqjen e presionit për ta njohur de jure pavarësinë e Kosovës. Kosova fitoi disa elemente të njohjes de fakto nga Serbia dhe premtimin për hapjen e rrugës së anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare të shteteve”, shkroi Latifi në Facebook.

Por, ai vuri në pah se përmbushja e këtij premtimi mbetet krejt e pasigurtë, ngase pengesat nuk lidhen me Serbinë, por me Rusinë, Kinën dhe shtete tjera të rëndësishme që këmbëngulin në mospranimin e Kosovës.

“Duke mos qenë pjesë e kësaj marrëveshje, nuk ka asnjë garanci se ato do të ndryshojnë qëndrim në favor të Kosovës”, shtoi ai.

“Për fund, ne do të vazhdojmë të jetojmë si një shtet i papërfunduar edhe në vitet që vijnë. Tash mblidhni pikët dhe nxirreni rezultatin”.

Megjithatë, ai shtoi se Bashkimi Evropian fitoi stabilitetin e Ballkanit perëndimor për një kohë të gjatë.

“Kjo është një goditje ndaj Rusisë që kalkulon gjatë në destabilizimin e Ballkanit përmes ndezjes së konflikteve të pazgjidhura të tij”.

Është zbuluar edhe zyrtarisht dokumenti i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi të njëjtën në Bruksel e kanë pranuar si kryeministri Albin Kurti, ashtu edhe presidenti Aleksandër Vuçiç.

Propozimi franko-gjerman që ‘trazoi’ skenën politike në Prishtinë dhe Beograd u është dorëzuar dy liderëve në fund të verës së vitit të kaluar, fillimisht si “plan fillestar”, pastaj si dokument i modelit “merre ose lëre”.

Ky propozim, të cilin e pati publikuar ekskluzivisht Albanian Post, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe garanci shtesë për komunitetin serb në Kosovë. Nuk përmendet njohja reciproke.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore