Lajme

Latifi: Mësuesit mund të kërkojnë paga më të larta, por momenti i zgjedhur për grevën i pamenduar mirë


Profesori i filozofisë dhe komentatori politik, Blerim Latifi, ka thënë se Mësuesit kanë të drejtë të kërkojnë paga më të larta, sepse kriza ekonomike, me rritjen enorme të çmimeve, e ka devalvuar shumë edhe pagën ekzistuese që e marrin, duke shtuar se “Qeveria nuk do të ketë çare pa u marrë me këtë çështje”.

Megjithatë, Latifi thekson se momenti i zgjedhur për grevën më duket i pamenduar mirë.

“Fare lehtë mund të ndodhë që me 1 shtator në veri të ketë rezistencë të dhunshme nga bandat e Vuçiçit e agjentët e Putinit që nuk duan ta lejojnë shtrirjen e ligjit kosovar atje dhe njëkohësisht në pjesët tjera të vendit sistemi të zgjohet në mëngjes i paralizuar nga grevat”, ka shkruar Latifi në Facebook.

“Nëse kjo ndodhë, atëherë ne me një shembull të ri do ta pasurojmë listën e gjatë të budallallëqeve tona”.

Ndryshe, 25 gushti i gjeti sërish në greva mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore të Kosovës.

Të gjithë kanë të njëjtën kërkesë – rritje të pagës prej 100 eurove.

Por, akoma pa përfunduar një ditë e grevës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, doli me vendim që grevistët të pezullohen nga e drejta për pagesë, pasi nga ta po kërkohet detyrim i bindjes për të punuar.

Kurti: Nuk është koha për grevë, është koha për punë

Në konferencën e mbajtur më 24 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se është i informuar për një hapë të tillë nga punëtorët e arsimit, por që nuk është momenti i duhur.

“Kërcënimi me paralizim të institucioneve dhe shërbimeve publike tash që Projektligji për pagat është proceduar dhe kushtëzimi me kërkesa shtesë, është gabim. Nuk është koha për grevë, është koha për punë, është koha që sindikatat t’i bëjnë komentet e tyre për Projektligjin për pagat”, tha kryeministri.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka hartuar projektligjin për pagat ditë më parë por që ky legjislacion duhet të kalojë fillimisht procedurat e konsultimeve paraprake e publike dhe pas miratimit në Qeveri e Kuvend, të publikohet në Gazetën Zyrtare të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore