Lajme

Latifi: Islami pas luftës është përdorur nga grupe që kanë synime kundër Kosovës


Blerim Latifi

Blerim Latifi, profesor i Filozofisë në Universitetin e Prishtinës, njëherit edhe analist politik, në një intervistë dhënë për Albanian Post para më shumë se dy viteve, thoshte se Islami është përdorur nga grupe të caktuara që kanë synime kundër Kosovës, gjegjësisht kundër orientimit perëndimor të saj.

“Një nga dukuritë më negative me të cilat jemi ballafaquar pas luftës ka qenë dëportimi i lëvizjeve radikale islamike në Kosovë, të cilat kanë pasur agjenda të dyshimta dhe të rrezikshme për orientimin strategjik, gjeopolitik dhe kulturor të Kosovës”, deklaronte Latifi.

Si para dy vjetësh, kur Latifi dha këtë intervistë për gazetarin Baton Haxhiu, ashtu edhe tani, në Kosovë vazhdon debati për rolin e fesë, veçanerisht Islamit dhe grupeve islamike në strukturën shoqërore të Kosovës.

Kosova, thotë në këtë intervistë Latifi, është përcaktuar të jetë një shoqëri demokratike, një shoqëri liberale dhe një shoqëri që mbështetet në standardet dhe vlerat e Perëndimit, megjithatë ditëve të fundit është hapur sërish një debat rreth rolit të fesë në shoqërinë kosovare.

Imami nga Prizreni, Mazllam Mazllami, gjatë kësaj jave mori shumë vëmendje për shkak se mori një veturë luksoze të tipit “Mercedes” nga ‘xhemati’ i tij dhe për shkak se e gjithë ajo çoi edhe në dhunë fizike ndaj gazetarit Valon Syla, i cili satirizoi me figurën e hoxhës.

Por, si e shpjegonte pasionin e kosovarëve për lëvizjet fetare, veçanërisht vehabizmin politik profesori Latifi?

“Thelbi është të krijohet një hendek kulturor midis Kosovës dhe Evropës, që Serbia me ringjallë propagandën e saj të vjetër që e ka prej [Nikolla] Pashiç-it e më herët. ‘Se shqiptarët e Kosovës nuk janë kulturalisht evropianë, se këta nuk kanë të bëjnë fare me Evropën. Rrjedhimisht, këta nuk e meritojnë shtetin’”, shpjegonte ai.

“Vehabazimi në Kosovë është projekt i Serbisë. Problemi është që ideologjia e Arabisë Saudite përdoret nga fqinji ynë armiqësor i veriut për ta dëmtuar Kosovën në perspektivën e saj evropiane”, vazhdonte tutje ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore