Lajme

Largohet një avokat nga ekipi mbrojtës i Thaçit në Speciale


Ish - presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Samuel Blom-Cooper, nuk do të jetë më pjesë ekipit të avokatëve të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, në Gjykatën Speciale në Hagë.

Këtë e ka bërë të ditur avokati kryesor i Thaçit, Gregory Keohe, përmes një shkrese, ku thotë se ndërprerja e kontratës së tij do të bëhet pa efekt negative në interesat e Thaçit.

Tutje, ai bëri të ditur se Bloom-Cooper, është larguar nga ekipi i mbrojtjes së Thaçit më 28 tetor të këtij viti. Ndërkaq, Keohe në shkresën e tij gjithashtu ka informuar se ai vazhdon të ndihmohet nga katër bashkë-avokatë të tjerë.

“Më 28 tetor 2021, avokati Gregory Kehoe, informoi Zyrën e Mbrojtjes se Blom-Cooper i ka pushuar shërbimet si bashkë-avokat i Thaçit. Në bazë të nenit 18(6) të Direktivës për avokatin, avokati informoi më tej Zyrën e Mbrojtjes se ndërprerja e kontratës së Blom-Cooper, do të realizohej pa efekt të kundërt në interesat e z. Thaçi dhe kohëzgjatjen e procedurës”, ka thënë ai.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit

Ish Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi akuzohet së bashku me ish-kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, kreun e grupit parlamentar të partisë opozitare Lëvizja Vetëvendosje, Rexhep Selimi, dhe kryetarin e këshillit kombëtar të partisë Nisma Socialdemokrate, (NISMA), Jakup Krasniqi.

Ish Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në Hagë

Aktakuza prej 68 faqesh përmban 10 akuza dhe rendit veprat e tyre të pretenduara si “krime lufte për arrestim dhe ndalimi të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje, dhe krime kundër njerëzimit për burgosje, veprime të tjera çnjerëzore, tortura, vrasje, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje”.

Ajo thotë se krimet u kryen “të paktën nga marsi 1998 deri në shtator 1999”. Të katër burrat ishin figura të larta në UÇK-së gjatë luftës dhe Thaçi ishte lideri politik i organizatës guerile.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen si përgjegjës për krimet e kryera nga ata vetë dhe ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së në pjesë të ndryshme të Kosovës, por edhe në Shqipërinë e veriut, “kundër qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime”.

Ish Presidenti i Kosovës Thaçi, ish-kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, kreun e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, dhe kryetari i këshillit kombëtar të partisë Nisma Socialdemokrate, (NISMA), Jakup Krasniqi.

Thaçi dha fillimisht dorëheqjen si president dhe u dërgua në Hagë për t’u përballur me akuzat.

Dorëheqja e tij pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij nxiti mesazhe solidariteti për luftën e UÇK-së nga udhëheqësit politikë etnikë shqiptarë në të gjitha anët e spektrit politik në Kosovë dhe Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore