Lajme

Lajçaku dëgjon “perspektivën” e Dodikut për situatën në Bosnje-Hercegovinë


Mirosllav Lajçak dhe Millorad Dodik

Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje tjera ballkanike, Mirosllav Lajçak, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të martën, njoftoi se gjatë vizitës në Bosnje-Hercegovinë takoi edhe udhëheqësin e entitetit serb, Millorad Dodik, i cili ndjek prej kohësh një politikë secesioniste dhe minon funksionalitetin e këtij shteti.

“Gjatë vizitës në Bosnje-Hercegovinë, pata rastin të dëgjoj edhe perspektivën e Dodikut për situatën aktuale. Unë theksova momentin unik pozitiv nga ana BE-së dhe nënvizova se të gjithë aktorët vendas duhet të kontribuojnë për të shfrytëzuar këtë mundësi dhe për të vënë Bosnje-Hercegovinën në radhë të parë”, shkroi shkurt diplomati sllovak past takimit.

Lideri ultra-nacionalist i serbëve të Bosnje-Hercegovinës ndodhet nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Britanisë së Madhe, por jo edhe të BE-së. Dodik refuzon autoritetin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës dhe zbaton një qëndrim konfrontues ndaj shteteve perëndimore, derisa bën thirrje për pavarësi.

Dodik, i cili mbështetet heshturazi nga Rusia dhe Serbia, refuzon rregullimin administrativ të Bosnje-Hercegovinës dhe autoritetin e zyrës së Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, derisa vazhdon kërcënimet se do të lëvizë drejt ndarjes së Republikës Sërpska nga pjesa tjetër e Bosnje-Hercegovinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore