Kosova

Lajçak takon Bislimin dhe Petkoviçin, ndarazi – “Bisedimet do t’i vazhdojmë gjatë tërë ditës”


Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak përmes një cicërime në Twitter bëri të ditur se ka zhvilluar takime ndarazi me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin, dhe negociatorin e palës serbe, Petar Petkoviç.

“Këtë mëngjes, pata dy takime të ndara me Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar zgjidhje ne krizës së tashme. Bisedimet tona do t’i vazhdojmë gjatë tërë ditës”, ka shkruar Mirosllav Lajçak.

Edhe Zëvendësndihmës sekretari amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar, ka takuar zëvendëskryeministrit Bislimi dhe Petkoviçin, të cilëve u ka kërkuar që tensionet mes dy vendeve duhet t’i ulin menjëherë.

Escobar u ka kërkuar dy negociatorëve që me urgjencë të zgjidhet çështja e targave për automjete dhe palët t’i rikthehen tavolinës së dialogut.

Çështja kryesore e lëtyre bisedimeve do të jetë situata e fundit, ku do të tentohet të gjendet një rrugëdalje dhe të vendoset si do të vazhdohet me kërkesën e Kosovës për reciprocitet me targat.

Në këtë raund pritet të jepet një zgjidhje dhe të arrihet një pajtim për targat dhe kalimet e dyanshme të veturave në këto pika kufitare. Veç kësaj teme, do të bisedohet edhe për disa çështje të tjera, që lidhen me këtë situatë të krijuar në pikat kufitare.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore