Lajme

Lajçak takohet me Alicia Kearns, deputeten britanike që kundërshton themelimin e Asociacionit


Miroslav Lajçak dhe Alicia Kearns

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë qëndrimit në Londër është takuar me deputeten britanike, Alicia Kearns, e cila ishte shprehur kundër formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Ditën e dytë në Londër, fokusi im ishte te think tanks, komuniteti ndërkombëtar dhe parlamenti. Kam pasur një diskutim shumë të mirë me kryetaren e Komisionit të Punëve të Jashtme, Alicia Kearns, për tendencat dhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, dialogun dhe rolin e Britanisë së Madhe”, shkroi Lajçak në rrjetin social Twitter.

“Britania e Madhe nuk do të mbështesë formimin e një entiteti serb në Kosovë siç është Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë”, kishte thënë kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme në parlamentin britanik Kearns, në një prononcim për Al Jazeera Balkans.

Kur komentonte planin e Bashkimit Evropian, tanimë i pranuar nga Kosova dhe Serbia, fillimisht në Bruksel me 27 shkurt dhe pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut me 18 mars, ajo thoshte se ka shumë paqartësi brenda planit, sidomos në pikat ku trajtohet komuniteti jo-shumicë.

“Paqartësia e gjuhës në planin [franko-gjerman] është problematike. Flitet për vetëqeverisje. Çfarë do të thotë? A do të thotë kjo sektorin e ujit, rrymës dhe gazit, apo vetëqeverisje do të thotë struktura të veçanta qeverisëse? Ne nuk duhet të lejojmë Republikën Srpska në Kosovë”, kishte thënë Kearns.

Britania e Madhe mbetet absolutisht e përkushtuar ndaj stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, kishte potencuar Kearns, si dhe do të vazhdojë përpjekjet për çrrënjosjen e etno-nacionalizmit në rajon.

“Ka aspekte të mira të planit franko-gjermano-amerikan, por formimi i një enklave serbe është diçka që Britania e Madhe – ne ishim shumë të qartë për këtë – nuk e mbështet”, vlerësonte ajo.

Po ashtu, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, përmes një cicërime në rrjetin social Twitter, njoftoi me 20 shkurt se ishte takuar me deputeten e Parlamentit të Britanisë së Madhe, Alicia Kearns.

“Bisedë shumë miqësore me deputeten Alicia Kearns për sfidat ndaj stabilitetit në rajonin tonë, mungesën e llogaridhënies nga regjimet autokratike dhe aspiratat euroatlantike të Kosovës”, shkroi Gërvalla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore