Lajme

Lajçak: Qytetarët e Ballkanit Perëndimor po e humbin besimin në BE


Miroslav Lajçak

Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se në vendet e Evropës Juglindore, apo ndryshe Ballkanit Perëndimor, “mbështetja për anëtarësim në BE po bie”, sepse siç thotë ai banorët po mendojnë se vetë BE-ja nuk dëshiron t’i pranojë ato.

“Unë kam parë njerëz që kanë frikë se BE-ja nuk dëshiron t’i shohë në anëtarësimin e saj. BE-ja definitivisht ka një imazh pozitiv në rajon, por mbështetja për integrimin evropian po bie, thjesht sepse njerëzit kanë frikë se BE-ja është jo serioze”, tha ai.

Lajçak në një intervistë për agjencinë kroate të lajmeve “Hina” ka thënë se në “vendet e Ballkanit Perëndimor, ndryshe nga vendet e Evropës Qendrore, kanë ende çështje të pazgjidhura nga e kaluara që vazhdojnë t’i preokupojnë”.

“Për vendin tim (Sllovakinë), dhe pjesën tjetër të Evropës Qendrore, integrimi në BE ishte një prioritet absolut, kështu që ne ishim plotësisht të përkushtuar për ta arritur atë”, tha Lajçak.

Ndërkaq, diplomati sllovak duke analizuar situatën se pse ka ngecje në procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, ai beson se fajtorin duhet ta kërkojmë tek te dy palët.

“Nuk dua të flas për fajin e dikujt, por ka pasur faktorë si nga pala e BE-së ashtu edhe nga pala ballkanike që na çojnë në një situatë ku po flasim për të ardhmen e BE-së, por pa progres”, shtoi Lajçak.

Ndërsa, kanë kaluar 20 vjet që kur BE-ja dhe vendet e Evropës Juglindore deklaruan për herë të parë në një deklaratë të përbashkët se “e ardhmja e Ballkanit është në BE”. Por, që nga ai takim në Selanik (Greqi) në vitin 2003, vetëm Kroacia u bë anëtare në vitin 2013.

“Mendimi im personal është se Evropa duhej të përtypte zgjerimin e madh në 2004 dhe 2007. Ai solli shumë efekte pozitive por edhe elemente që e komplikuan BE-në, veçanërisht sepse e ka më të vështirë të marrë vendime unanime me 28, apo tani me 27 vende, se sa ishte kur ishin 15”, potencoi ai.

“Disa vende devijuan nga normat dhe vlerat evropiane, gjë që krijoi gjithashtu skepticizëm ndaj zgjerimit të mëtejshëm. Për më tepër, duke folur objektivisht, Evropa u përball me kriza të shumta që nuk ishin as të planifikuara dhe as të pritshme, si kriza financiare, migrimi dhe Brex-it. Të gjitha këto sollën zvogëlimin e zgjerimit. Opinioni publik në shumë vende të Evropës Perëndimore nuk ishte pozitiv ndaj hapjes së tregut të punës për anëtarët e rinj, kështu që liderët politikë nuk donin të promovonin zgjerimin e mëtejshëm”, beson Lajçak.

Po ashtu, Lajçak vlerëson se “pas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, ne shohim se si BE ashtu edhe Ballkani duhet ta marrin seriozisht zgjerimin”.

“Kjo nuk mund të arrihet nëse njëra palë e merr seriozisht dhe tjetra jo”, nënvizoi ai.

Ndryshe, shtetet që e përbëjnë Ballkanin Perëndimor janë: Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Shqipëria.

Asnjëra nga to deri më tani nuk është pjesë e Bashkimit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore