Lajme

Lajçak: Në takimin e fundit u ngushtua diferenca për dinarin – pres propozime shumë konkrete në takimin e radhës


Mirosllav Lajçak

Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pas ciklit të ri të takimeve të pasuksesshme që u zhvillua të enjten e javës së kaluar në Bruksel të Belgjikës për dinarin, tha se ndonëse ekzistojnë akoma dallime në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një rrugë të mesme, u shpreh se në takimin e fundit u ngushtua diferenca në qëndrime.

Lajçaku takoi më 18 prill kryenegociatorët e Prishtinës dhe Beogradit mbi tensionet që u ndezën pas rregullores së Bankës Qendrore (BQK), nëpërmjet së cilës autoritetet kosovare synojnë të ndalojnë përdorimin e dinarit, por nuk u arrit kompromis. E diplomati sllovak u shpreh  se përpjeket do të vazhdojnë këtë javë bazuar në propozimin e BE-së për zgjidhjen e krizës.

“Ne kemi diskutuar për një zgjidhje të përkohshme për qytetarët e prekur nga vendimi i BQK-së për oepracionet me para të gatshme dhe besoj se ia dolëm ta ngushtojmë diferencën. Në të njëjtën kohë, disa dallime mbeten dhe për këtë arsye do të pres sërish dy kryenegociatorët në Bruksel dhe pres që bisedimet tona të bazohen në ide shumë konkrete”, shkroi Lajçaku.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh shef i ekipit negociator të palës kosovare, tha pas takimit se pala serbe s’e pranoi as këtë hërë propozimin fillestar të Lajçakut për zgjidhje të përkohshme, por ata kanë insistuar në propozimin e tyre për çështjen e dinarit serb.

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, pretendoi se pala serbe bëri “gjithçka” për të gjetur një zgjidhje, ndërsa akuzoi palën kosovare se erdhi në kryeqendrën evropiane pa komentuar idetë e BE-së për zgjidhjen e nyjes që, sipas tij, tregon se Kosova nuk dëshiron të pajtohet për asgjë.

Megjithatë, për shkak se palët nuk kanë arritur marrëveshje në takimin e fundit, terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë gjatë javës, ndërsa mbetet për t’u parë nëse lista e “skenarëve të dhunës” që mund të rezultojnë për shkak çështjes së dinarit dhe tensioneve ekzistuese do të zgjerohet apo do të gjendet një zgjidhje në dialog.

Dinari shtyhet në skaje pas “pengmarrjes” së kosovarëve nga “shteti mafioz” i Serbisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore