Lajme

Dinari shtyhet në skaje pas “pengmarrjes” së kosovarëve nga “shteti mafioz” i Serbisë


Ilustrim

Në prag të ciklit të ri të negociatave për dinarin, shteti serb ndaloi në mënyrë arbitrare mijëra kosovarë që vendosën të kalonin transit nëpër territorin e Serbisë, duke zhvendosur vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare nga një çështje që pritej të zgjidhej pas një periudhe të gjatë krize, në një çështje të paprecedent që testoi marrëveshjet e arritura për lirinë e lëvizjes.

Në kulmin e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, autoritetet serbe ndaluan mbi 1 mijë e 400 kosovarë, teksa kalonin transit nëpër Serbi. Në mesin e të ndaluarve ishin edhe dhjetë zyrtarë policorë – nëntë zyrtarë policorë u liruan, kurse ndaj zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç, autoritetet serbe caktuan masën e paraburgimit prej 48 orësh.

Megjithatë, ashtu sikurse ndodh zakonisht, presioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) detyroi Serbinë ta lironte edhe Jankoviçin. Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) i bëri thirrje Serbisë të vetëpërmbahet nga veprimet e njëanshme përshkallëzuese dhe t’i lirojë menjëherë kosovarët e ndaluar për mbi 24 orë në kufirin Serbi – Kroaci dhe Serbi – Hungari.

“Ndalimet arbitrare apo padrejtësisht të gjata, posaçërisht nëse cak i tyre janë oficerët e Policisë së Kosovës, do të shihen si veprime përshkallëzuese që dëmtojnë paqen dhe stabilitetin”, deklaroi një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë të enjten pasdite, ndërsa thirrje për lirimin e Jankoviçit bëri më herët gjatë ditës edhe ambasadori amerikan në Prishtinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se ndalimi dhe maltretimi i shtetasve të Kosovës u bë në shenjë hakmarrjeje pas votës dërrmuese në favor të raportit për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës që rekomandon anëtarësimin e vendit të vogël ballkanik në këtë organizatë të rëndësishme evropiane, derisa e cilësoi Serbinë shtet mafioz.

“Mungesa e sanksioneve e trimëroi Serbinë dhe uroj që trimërimi i agresivitetit që vjen si pasojë e një nervoze të padurueshme të brendshme që rezulton nga sukseset e shtetit tonë, të paraqesë një etapë të re në të cilën do të kuptohet që Kosova është shtet demokratik që respekton të drejtat e qytetarëve, ndërsa Serbia është praktikisht shtet mafioz”, deklaroi ai.

Ky zhvillim shtyu drejt skajeve një proces që nisi mëngjesin e së enjtes – një cikël i ri i takimeve për dinarin në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi u mbajt të në Bruksel të Belgjikës nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), por rezultoi pa sukses. Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë nuk arritën gjuhë të përbashkët.

Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pas raundit të ri të takimeve të takimeve të pasuksesshme që u zhvilluan të enjten për dinarin, njoftoi se palët u pajtuan që t’i vazhdojnë përpjekjet javën e ardhshme për të gjetur një zgjidhje të përkohshme mbi rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nëpërmjet së cilës ndalohet dinari serb.

“Sot prita një sërë takimesh bilaterale me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për të vazhduar diskutimet për një zgjidhje të përkohshme për ata që janë prekur nga vendimi i BQK-së. Palët ranë dakord të vazhdojnë përpjekjet javën e ardhshme bazuar në propozimet konkrete”, shkroi diplomati sllovak në platformën “X” pas maratonës diplomatike të 18 prillit 2024.

Lajçaku takoi të enjten kryenegociatorët e Prishtinës dhe Beogradit, por ndryshe nga praktika e mëparshme në kuadër të procesit të dialogut në nivel teknik, nuk pati takim trepalësh mes tyre, por vetëm takime bilaterale të ndara. E diplomati sllovak u shpreh pas takimeve se përpjeket do të vazhdojnë javën e ardhshme bazuar në propozimin e BE-së për zgjidhje.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh shef i ekipit negociator të palës kosovare, deklaroi pas takimit se pala serbe s’e pranoi as këtë hërë propozimin fillestar të Lajçakut për zgjidhje të përkohshme, por ata kanë insistuar në propozimin e tyre për çështjen e dinarit serb, ndërsa denoncoi përndjekjen e autoriteteve serbe ndaj qytetarëve të Kosovës.

“Dhe një ditë pas manifestimit të modelit serb të normalizimit dhe integrimit apo zbatimit të marrëveshjeve që u manifestua përmes ekspozimit të një mentaliteti mesjetar të trajtimit të qytetarëve të një vendi fqinj, përmes ndaljes së tyre nëpër pikat kufitare, arrestimit, maltretimit të tyre, dhe në këtë kontekst mbase duhet të shihet dhe qasja e Serbisë në takimin e sotëm”.

“Rrjedhimisht ky takim i sotëm mund të quhet si takim i kotë, i pa rezultat dhe ndoshta si sukses i politikës obstruktive të palës serbe, e cila vetëm ka dëshiruar të blejë kohë në vazhdimësi dhe me çka na konfirmon qëndrimin tonë se në këtë problematikë me të cilën ballafaqohemi me gjasë nuk ka kurrfarë urgjence dhe nuk ka kurrfarë interesimi të palës serbe”, shtoi ai.

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, pretendoi se pala serbe bëri “gjithçka” për të gjetur një zgjidhje, ndërsa akuzoi palën kosovare se erdhi në kryeqendrën evropiane pa adresuar idetë e BE-së për zgjidhjen e nyjes që, sipas tij, tregon se Kosova nuk dëshiron të pajtohet për asgjë.

Megjithatë, për shkak se palët nuk kanë arritur marrëveshje në takimin e fundit, terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë javën tjetër, ndërsa mbetet për t’u parë nëse lista e “skenarëve të dhunës” që mund të rezultojnë për shkak çështjes së dinarit dhe tensioneve ekzistuese do të zgjerohet apo do të gjendet një zgjidhje në dialog.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore