Kosova

Lajçak bën thirrje për ulje të tensioneve në veri të Kosovës


Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se i ka njoftuar vendet e Bashkimit Evropian për situatën në veri të Kosovës derisa ka bërë thirrje për ulje të tensioneve.

Ai përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Twitter, ka thënë se ndihet i brengosur për situatën në veri.

“I informova vendet e Bashkimit Evropian për situatën në veri të Kosovës. Jam i shqetësuar dhe bëj thirrje të menjëhershme për de-eskalim. Është e rëndësishme të ulen tensionet, të rikthehet atmosfera paqësore dhe të lejohet lëvizje e lirë. Jemi të gatshëm për lehtësimin e bisedimeve në të gjitha çështjet e hapura në dialog””, ka shkruar Lajçak.

Në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se nuk do të heqë dorë nga reciprociteti për targa të përkohshme për veturat që vijnë nga Serbia.

Sipas tij, ose të dyja shtetet kanë të drejtë, ose të dyja e kanë gabim.

“Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia”, ka thënë Kurti.

Ai ka treguar se njësitë speciale janë aty vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare.

“Prania e tyre aktuale është aty për shkak se dhjetëra protestues kanë bllokuar me makineri rrugët që shpijnë te pikat kufitare 1 dhe 31 e në afërsi të tyre. Policia ka biseduar me protestuesit dhe nuk i ka cenuar ata”, ka thënë Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit me ambasadorët e QUINT-it

Po ashtu, Kurti ka informuar ambasadorët se në asnjë vendkalim kufitar as gjatë ditës së hënë dhe as gjatë të martës nuk ka pasur incidente duke shtuar se vendimi i qeverisë nuk ishte provokim e as diskriminim ndaj askujt dhe se Policia e Kosovës ka qenë dhe është profesionale, korrekte dhe efikase.

Kështu është deklaruar Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë pritur në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it, dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, për të diskutuar mbi vendimin e ditës së hënë të qeverisë rreth reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore