Lajme

La Niña dhe kriza klimatike pas përmbytjeve të fundit në Australi


Përmbytje të rrezikshme dhe të përhapura janë raportuar gjerësisht gjatë javës së kaluar në pjesët lindore të Australisë, veçanërisht në Uellsin e Ri Jugor. Dhjetëra mijëra njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre pasi lumenjtë dolën nga shtrati.

“La Niña” aktualisht ka humbur fuqinë në oqeanin Paqësor qendror, ndërkohë që temperaturat e sipërfaqes së detit në Paqësorin lindor janë më të ulëta se normalja. Në Paqësorin perëndimor, veçanërisht rreth Indonezisë dhe Australisë lindore, ato janë më të ngrohta se normalja.

Rritja e temperaturave  në rastin e fundit rrit përmbajtjen e lagështisë. Ky ka qenë shtytësi i vëllimeve të mëdha të shiut të dëshmuar gjatë ditëve të fundit, të krijuara nga një seri stuhish në Paqësor.

Sydney dhe rajonet përreth janë goditur rëndë, dhe disa zona kanë marrë 700-800 mm shi që nga fundjava. Kjo është rreth një herë e gjysmë më shumë se reshjet mesatare vjetore në këtë zonë.

Më shumë se 80 mijë njerëz janë evakuuar për shkak të rritjes së nivelit të ujit nga përmbytjet, dhe është hera e tretë këtë vit që të njëjtat rajone përjetojnë përmbytje. Edhe pse “La Niña” ka qenë nxitësi kryesor për këtë fenomen, karakteristikat e rënda të kësaj ngjarje janë gjithashtu në përputhje me parashikimet klimatike, të cilat flasin për intensitetin e shtuar të ngjarjeve sezonale të reshjeve globale.

Ka qenë shumë ngrohtë në një pjesë të Kanadasë veriore dhe Alaskës gjatë ditëve të fundit, pasi nxehtësia dhe lagështia u pompuan nga një rrugë e gjatë në jug dhe në perëndim.

Temperaturat maksimale pranë bregut verior të Alaskës, brenda Rrethit Arktik, u rritën përtej 30 gradë Celsius, 10 ose më shumë mbi kulmin sezonal. Ngrohtësia, së bashku me bimësinë e thatë, ka çuar në zjarre të shumta në kullota, të cilat, në disa raste, janë shkaktuar nga goditjet e rrufeve.

Stuhitë në këtë rajon janë relativisht të pazakonta, duke pasur parasysh shtrirjen e gjerë, por ngrohtësia dhe lagështia në atmosferë janë kombinuar duke prodhuar stuhi të përditshme gjatë javës së kaluar.

Marrë nga The Guardian, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore