Lajme

Kush do të paguajë për rritjen e kapaciteteve ushtarake të Japonisë?


Japonia ka nisur një rritje të fuqisë ushtarake në largimin më të guximshëm nga qëndrimi pacifist i miratuar në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Por kujt do t’i kërkohet të mbajë barrën më të madhe, familjeve apo kompanive?

Tokyo planifikon të blejë raketa Tomahawk nga SHBA-të, të zhvillojë raketat e veta të lundrimit me rreze të gjatë dhe të forcojë mbrojtjen kibernetike për të trajtuar kërcënimin e një Kine gjithnjë e më agresive.

Të paktën kështu është sipas njerëzve të përfshirë në diskutimet rreth strategjisë së re të sigurisë kombëtare të Japonisë.

Vendimi për të zgjeruar ndjeshëm shpenzimet ushtarake ka një mbështetje të gjerë publike pasi pushtimi rus i Ukrainës kristalizoi frikën për një konflikt të mundshëm në Tajvan.

Rezistenca publike ndaj rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes ka qenë e bazuar në kushtetutën e Japonisë, në nenin 9 të së cilës “klauzola e paqes” heq dorë nga kërcënimi ose përdorimi i forcës në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare.

Por analistët janë të mendimit se ndryshimi në ndjenjën publike ende e ka lënë kryeministrin Fumio Kishida me një sfidë të frikshme.

Ai duhet të bindë një shoqëri që plaket me shpejtësi dhe korporatat që grumbullojnë para për të pranuar se kostot e fortifikimit të Japonisë do të jenë të rënda.

Nëse ai ia del mbanë, mund të rrisë popullaritetin e tij të lëkundur dhe të riformësojë rolin e sigurisë së Japonisë si një partner më i fortë ushtarak për SHBA-të dhe aleatët në rajonin Indo-Paqësor.

Nëse Kishida dështon, pasojat politike do të thellojnë ndarjen e brendshme brenda partisë Liberal-Demokratike në pushtet dhe do të kërcënojnë mbajtjen e tij në pushtet.

Qeveria do të synojë të vendosë një plan financimi për shpenzimet ushtarake deri në fund të kësaj jave, kur të publikojë strategjinë e parë të sigurisë kombëtare në pothuajse një dekadë.

Kishida ka thënë se Japonia do të ndajë 317 miliardë dollarë për buxhetin e saj të mbrojtjes gjatë pesë viteve të ardhshme, një rritje prej 57 për qind nga plani aktual i shpenzimeve.

Çka do t’i çonte shpenzimet vjetore të mbrojtjes në afërsisht 2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, duke përputhur objektivin e NATO-s për shtetet anëtare.

Sakaq, Kishida e ka përjashtuar rritjen e taksave bazë të të ardhurave për individët ose emetimin e bonove qeveritare, duke lënë opsione të tilla si rritja e taksave të korporatave ose taksave për cigaret.

Po ashtu zyrtarët qeveritarë thuhet se po peshojnë rritjen e të ardhurave shtesë duke zgjeruar një program të posaçëm të tatimit mbi të ardhurat.

Në qendër të mosmarrëveshjes se ku mund të gjendet financimi është një ndarje brenda radhëve të partisë.

Një fraksion, i kryesuar nga Kishida dhe i njohur për theksin e tij në disiplinën fiskale, favorizon një formë të rritjes së taksave, me borxhin publik të Japonisë tashmë në më shumë se 200 për qind të PBB-së.

Mbështetësit e grupit të ish-kryeministrit Shinzo Abe kanë bërë thirrje për më shumë emetim të obligacioneve qeveritare në vend të rritjes së taksave.

Lektori Jeffrey Hall e ka vënë në dyshim nëse debati mbi taksat ishte parandalues, përpara se qeveria të kishte paraqitur planet për shpenzimet e mbrojtjes.

“Mendoj se është politikisht popullor të shihet se po mbron më shumë Japoninë, por ata ende nuk i kanë detajuar vetë shpenzimet. Ata thjesht kanë thënë: është një emergjencë, mos shikoni detajet”, ka thënë ai.

“Është një gjë e pamenduar kur flisni për rritjen e taksave përpara se të detajoni se si paratë që po mblidhni do t’i bëjnë njerëzit më të sigurt”, ka shtuar ai.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore