Lajme

Kusari-Lila që dikur pati folur vetë me Radojiçiç-in, thotë se ekziston edhe një bisedë e tij me Vuçiç-in


Mimoza Kusari-Lila dhe Milan Radojiçiç

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila e kishte pranuar se ka biseduar në telefon me kriminelin Milan Radojiçiç, ka thënë se ekziston një bisedë mes Radojiçiçit dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç ku flitet për mundësin e një sulmi të ri terrorist ndaj Kosovës.

“Ka edhe një video-incizim që tregon kriminelin në arrati Milan Radojiçiç, i cili në prani të Vuçiçit dhe zyrtarëve të tjerë të Listës Serbe, deklaron se ata janë të gatshëm të përgatitur të shkojnë deri në fund, me riaktivizim të një sulmi të njëjtë si ai i 24 shtatorit”, tha Kusari-Lila në një intervistë për Euro News Albania.

Ajo ka theksuar se në vazhdimësi po dalin fakte për synimet e Serbisë për destabilizim, teksa shtoi se situata mes Kosovës dhe Serbisë mund të ketë edhe ndonjë episod të ngjashëm si ai i 24 shtatorit të vitit të kaluar.

Kur pyetet për bisedën me Radojiçiçin, ajo ka theksuar se nga biseda me këtë të fundit “nuk ka pasur asgjë jo korrekte apo jo ligjore”.

“Kryekrimineli Radojiçiç ka insistuar të flasim në telefon. Kjo ka ndodhur në maj të 2022 dhe ka qenë komunikimi i vetëm që kam pasur me këtë kriminel përmes telefonit”, potencoi ajo.

Ndryshe në një audio-incizim të publikuar nga mediumi “Nacionale”, flitet për takime dhe koordinime që deputetja e partisë në pushtet i ka bërë në emër të Qeverisë së Kosovës me Listën Serbe dhe kriminelin Radojiçiç për disa nga çështjet politike në Kosovë.

Por, Kusari-Lila pati thënë se kontakti me ish-deputetin serb Slavko Simiç ka qenë në suaza të normales dhe se është biseduar për votimin e tri projektligjeve: Ligji për Festa Zyrtare, Ligji për Liritë Fetare dhe Ligji për Vetëqeverisjen Lokale, ndërsa ka mohuar të ketë pasur kontakt me dikë tjetër nga Lista Serbe.

“Komunikimi ka qenë tërësisht në bazë të komunikimit brenda kuvendit, brenda seancës për agjenda. Kanë qenë tri agjenda vazhdimisht që e kanë përcjellë këtë komunikim: Ligji për Festa Zyrtare, Ligji për Liritë Fetare dhe Ligji për Vetëqeverisjen Lokale”, thoshte ajo.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i kishte dal në mbrojtje Kusari-Lilës edhe pse kjo e fundit e kishte pranuar se ka biseduar me një kriminel.

Për Kurtin, Kusari-Lila, e kishte për detyrë të sigurojë sa më shumë vota në Kuvend, derisa ka shtuar se qeveria e udhëhequr nga ai “ka zero varësi nga Lista Serbe”.

“Shefja e grupit parlamentar natyrisht jo vetëm që komunikon me shefat e grupeve të tjera parlamentare, por e ka për detyrë që të sigurohen sa më shumë vota. Qeveria ka zero varësi nga Lista Serbe”, pati theksuar Kurti para gazetarëve.

Vetëm dy muaj pasi kryedeputetja e LVV-së e pranoi që ka biseduar me Radojiçiçin, ky i fundit së bashkë me një grup të armatosur më 24 shtator të vitit të kaluar ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.

Radojiçiç, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar kishte arritur që pas sulmit terrorist të arratisej në Serbi.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Ai ishte arrestuar nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas. Organizata ndërkombëtare policore “INTERPOL”, ka lëshuar një urdhër-arrest për kryekriminelin Milan Radoijçiç dhe 11 persona të tjerë për sulmin terrorist në Banjë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore