Lajme

Kusari-Lila: Me mosvotim të marrëveshjeve ndërkombëtare s’mund të rrëzohet Qeveria – mund të vazhdojmë kështu deri në 2025


Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, pas mbledhjes së kryesisë është deklaruar për mosmiratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nga partitë opozitare.

Ajo ka sqaruar se janë vetëm PDK-ja dhe AAK-ja, ato të cilat nuk po votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.

“Tek partitë opozitare ka dallim në vendimmarrje politike. Lidhja Demokratike e Kosovës, ka votuar por Partia Demokratike e Kosovës e ka këtë qëndrim. Ne jemi të bindur se këto masa nga Bashkimi Evropian janë të padrejta dhe presim sa më shpejt largimin e tyre”.

“Por, që nuk ka arsyetim për mosvotim dhe këtë e kemi parë nga vetë deklarimet e ambasadorëve të Bashkimit Evropian, të vendeve të mëdhaja siç është Gjermania që i bën thirrje partive opozitare që të kthehen dhe të votojnë”, ka thënë ajo.

Ndërsa, ka potencuar se kanë pasur kërkesa edhe nga ambasadorët e QUINT-it që opozita të votojë marrëveshjet ndërkombëtare.

“Ne kemi pasur kërkesa dhe ftesa të mjaftueshme nga ambasadorët e QUINT-it, që opozita t’i kthehet miratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare”.

“Presim reflektim nga dy partitë e tjera nga PDK-ja dhe AAK-ja. Me mosvotim nuk rrezikohet puna e Kuvendit, më së shumti pësojnë qytetarët e Kosovës, nuk mund ta rrëzojnë Qeverinë me mosvotim të marrëveshjeve ndërkombëtare, ne mund të vazhdojmë kështu deri në 2025 kur janë zgjedhjet në nivelin nacional të rregullta”, ka thënë Kusari-Lila.

Ndërsa, sa i përket shtesave të rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës, ajo është shprehur se në vitin 2024, parashihet rritje e koeficientit.

“Të gjithë e dimë se të qenurit policë përveç se është përgjegjësi, e ka edhe pajtimin me faktin që ballafaqohesh me rrethana që nuk janë të zakonshme”.

“Me buxhetin e vitit 2024, parashihet rritja e koeficientit”.

Sipas saj, si pushtet janë duke u munduar që të plotësojnë kushtet për Policinë e Kosovës.

“Për ne, është e domosdoshme që të krijojmë kushte dhe siguri për ta në nivelin që kemi, ndërsa jemi përpjekur që të mos krijojmë një padrejtësi tjetër ndaj ndonjë sektori tjetër”.

Më 27 tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë kategorizimin e policëve të cilët do të marrin shtesën për rrezikshmëri.

Ai ka ndarë këto shtesë për të gjithë policët, por që dallimin e ka bërë përmes shtesave më të larta dhe më të ultë varësisht nga pozita.

Qeveria e Kosovës propozon shtesat për policët – nga 45 deri në 150 euro

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore