Lajme

Kurti: Vërshimet na treguan për nevojën që qeset plastike duhet të bëhen me pagesë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë, Liburn Aliu gjatë vizitimit në disa dyqane në qendër të Prishtinës, ka thënë se pagesa e qeseve plastike do të shkojë në buxhet të shtetit.

Kurti, para gazetarëve ka sqaruar se cilat qese do të shiten në dyqane.

“Këto qeset pa dorëza do të jenë falas dhe këto përdoren për fruta dhe perime ndërkaq  ato qeset prej 25 deri 50 gram, do të kushtojnë 5 centë, 2 centë shkojnë në buxhet të shtetit”.

Sipas tij, vërshimet që kishin ndodhur në muajin janar në Kosovë, kishin treguar nevojën që qeset duhet të largohen.

“Vështrimet që kanë ndodhur na kanë nxjerrur në pah sa shumë qese të panevojshme plastike janë shndërruar në mbeturina që në mënyrë masive është ndotur ambienti. Kështu që përmes kësaj fushate shpresoj që t’i themi jo qeseve plastike”, deklaroi Kurti para gazetarëve.

Përdorimi i qeseve të plastikes në botë

Nga korriku i vitit 2021, Bashkimi Evropian, kishte fuqizuar direktivën që ndalon plastikën për një përdorim.

Në këto produkte përfshihen: pjatat, gotat, shkopinjtë për pirje dhe ato qese që, sipas BE-së, shndërrohen në mikroplastikë dhe mbeten gjatë në mjedis.

Sipas vlerësimeve të BE-së, këto plastike përbëjnë rreth 70 për qind të mbeturinave detare në Evropë.

Qëllimi përfundimtar i BE-së është që deri në vitin 2030, çdo plastikë e mbetur të jetë e ripërdorshme ose e riciklueshme.

Në rajonin e Ballkanit, tregtarët në Shqipëri deri në vendimin e ndalimit të qeseve të plastikës, i kanë shitur ato.

Ilustrim.

Kroacia, nga janari i këtij viti, ka ndaluar përdorimin e qeseve të tilla, ndërsa Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina kanë paralajmëruar masë të tillë, por ende nuk është vendimtare.

Në Serbi, ndërkaq, disa qytete kanë ndaluar përdorimin e qeseve të plastikës, por vendim në nivel kombëtar nuk ka.

Disa vende evropiane kanë miratuar një tarifë për qeset plastike, duke marrë parasysh efektin negativ të qeseve plastike në prodhimin bujqësor.

Qeveria japoneze ka vendosur gjithashtu një tarifë për qese plastike për të kufizuar prodhimin dhe përdorimin e tyre.

Ndalimet për përdorimin e qeseve plastike dhe zhvillimi i alternativave janë një hap shumë i mirëpritur kur krahasohet me presionin mbi prodhimin dhe përdorimin e qeseve plastike nga njerëzit.

Edhe pse vendosja e një takse për qeset plastike ka një efekt pozitiv në mbrojtjen dhe ruajtjen e pjellorisë së tokës bujqësore, përdorimi i vazhdueshëm dhe dominues që rezulton i vetë qeseve plastike do të mohonte përfitimet ose avantazhet e taksës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore