Lajme

Kurti: “Unë nuk heq dorë nga suksesi”


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Në nëntë mujorin e marrjes së detyrës së udhëheqësit të Qeverisë ë Kosovës, Kryeministri Albin Kurti ka thënë se si institucione nuk do të harrojnë qëllimin e rrugëtimit që kanë nisur nga 1 shkurti për, siç ka thënë ai, ndërtimin e një shoqërie më të drejtë e më të barabartë.

“Në 9 mujorin e marrjes së detyrës, dje, mbajtëm mbledhjen e 50-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e parafundit për vitin 2021”.

“Po përfundon një vit sfidues për të gjithë ne. Pandemia ka rënduar mbi supet e secilit prej nesh”.

“E derisa mbyllim këtë vit me shumë arritje në shumë sektor, kujtojmë që për shumë qytetarë të cilët me dekada janë harruar nga politika, jeta mbetet ende e vështirë. Prandaj edhe nuk harrojmë dot arsyen se përse ne jemi këtu”, ka shkruar Kurti në një postim në llogarinë e tij Facebook.

“Ndonëse ndodhemi në një krizë të vështirë energjetike globale, do të bëjmë gjithë çka mundemi e krejt çka dimë të dalim me sa më pak humbje e dëme prej saj”.

“Ndamë 4.500.000€ mbështetje për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale, për pagesën e faturave të energjisë elektrike për familjet në nevojë”.

“Për të mundësuar operimet pa pengesa, miratuam kërkesën e KOSTT-it për kthimin e dividendës për këtë vit nga ana e Qeverisë, në mënyrë që të ketë likuditetin e nevojshëm”.

“Ndamë 3.000.000€ mbështetje për shëndetësinë, për të mbuluar obligimet në kuadër të fondit për trajtim jashtë institucioneve publike”.

“Mbështetje shtesë për arsimin, me 4.110.000€ të ndara për mbulimin e obligimeve për librat në shkollat fillore dhe 86.243€, për pagesën e obligimeve për zhvillimin e mësimit online në kohë pandemie”.

“Për ringjalljen e fshatit përmes bujqësisë dhe agro-turizmit, ndamë 2.500.000€, miratuam Strategjinë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2022-2028, si dhe Strategjinë për Zhvillimin e Pylltarisë 2022-2030”.

“Miratuam dhe proceduam për në Kuvend tetë projektligje”.

“Për mbrojtjen e shëndetit publik, miratuam Strategjinë shtetërore për parandalim, menaxhim dhe kontrollim të pandemisë COVID-19, dhe projekt-rregulloren për Emergjencat dhe Monitorimin Radiologjik”.

“Kursimet janë në shumë prej 19.060.303€ dhe e njëjta vlerë është ndarë për të siguruar pagesën e pensioneve për muajin dhjetor, si dhe shlyerjen e obligimeve financiare të trashëguara nëpër organizata buxhetore të ndryshme”, janë punët të cilat Kryeministri i ka përmendur i më të suksesshmet e qeverisjes së tij..

“Një vit i ri e një dekadë e re shtrihet para nesh. Le të shtyjmë vetën përpara duke u bërë shembull për fëmijët tanë. Qeveria që kemi zgjedhur nuk heq dorë nga suksesi. Unë nuk heq dorë nga ndryshimi të cilin e kemi filluar”.

“E ardhmja jonë është e ndritshme e rrugëtimi ynë është i përbashkët”, u shpreh kryeministri.

Një ditë më parë, Kryeministri Kurti, ka paraqitur punën e tij përmes një video të cilën poashtu e ka postua në llogarinë e tij në Facebook.

Ai ka cekur se në këtë video nuk janë të gjitha punët.

Kurti ka premtuar se në vitin tjetër do të ketë edhe shumë punë më të mëdha.

Me këtë rast ai uroj qytetarët për festat e fundvitit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore