Lajme

Kurti thotë se Serbia po hakmerret për Këshillin e Evropës, Bislimi e njofton Lajçak-un për situatën në kufi


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas situatës së krijuar në pikat kufitare në Serbi dhe ndaljes arbitrare të qytetarëve të Kosovës në pikëkalimet kufitare të Serbisë që nga orët e mbrëmjes të së martës.

Kurti përmes një shkrimi në rrjetin social ‘X’, ka thënë se Serbia po mundohet të gjejë forma për t’u hakmarrë pas votimit në favor të Kosovës në Këshill të Evropës.

“Një ditë pas votimit në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, Serbia hakmerret ndaj civilëve kosovarë. Që nga mëngjesi i sotëm, mbi 300 shtetas tanë – përfshirë fëmijë – janë ndaluar arbitrarisht në kufij, janë privuar nga ushqimi dhe medikamentet. Shkelje flagrante e të drejtave të njeriut”, ka shkruar Kurti.

Ndërsa zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, ka thënë se për këtë situatë e ka informuar të Dërguarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Mbi këtë situatë, kam informuar dhe z. Lajçak. Kjo është përgjigja e Serbisë dhe hipokrizia e tyre ndaj të drejtave të njeriut, të cilat vijnë nga një vend që është aktualisht anëtar i Këshillit të Evropës. Ky akt dëshmon përsëri uljen e tyre në demokraci dhe politikat e tyre të vazhdueshme të agresionit”, ka shkruar Bislimi në rrjetin social ‘X’.

Bislimi, ka shtuar se përballë veprimeve të tilla s’do të dorëzohen.

“Kosova është një shtet i pavarur, sovran e demokratik. Ne nuk do të dorëzohemi përballë akteve bullizuese të Serbisë e cila po dëshmon edhe një herë se nuk është e përkushtuar ndaj marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe normalizimit. Siç edhe Vulin ja ka qëlluar: Serbia nuk përket në Këshillin e Evropës dhe BE”.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë njoftuar se pas situatës së krijuar në pikat kufitare në Serbi dhe ndaljes arbitrare të qytetarëve të Kosovës në vendkalime kufitare, të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi.

“MPJD dhe MPB janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe do t’iu mbajnë të informuar rreth detajeve të reja. Të gjithë udhëtarët luten që të ndjekin me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe të mos udhëtojnë përmes Serbisë”, thuhet në njoftim.

Paraprakisht, Fatmir Haxholli, sekretar i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, nëpërmjet një postimi në “Facebook” tha se mbi 300 qytetarë të Kosovës janë bllokuar në Serbi në pikëkalimin kufitar me Kroacinë, derisa shtoi se kjo lëvizje absurde e autoriteteve serbe erdhi në shenjë hakmarrjeje ndaj votimit në favor të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Haxholli njoftoi ndër të tjera se autoritetet serbe ua kanë marrë pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit qytetarëve kosovarë, ndërsa e cilësoi shkelje flagrante të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi për lirinë e lëvizjes dhe njohjen e ndërsjellë të dokumentacioneve nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore