Lajme

Kurti takohet me shefin e ri të EULEX-it: Diskutuam për sundimin e ligjit dhe zhvillimet në vend


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe shefi i ri i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX, Giovanni Pietro Barbano

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me shefin e ri të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX, Giovanni Pietro Barbano, me rastin e fillimit të mandatit të tij.

Në komunikatën nga Qeveria e Kosovës është thënë se kanë diskutuar për zhvillimet në vend dhe forcimin e sundimit të ligjit.

“U bisedua për bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe institucioneve të rendit dhe sigurisë me misionin EULEX me qëllim të forcimit të sundimin të ligjit, si dhe për zhvillimet në vend”.

“Kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë për shtet ligjor, demokraci dhe mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve që jetojnë në Republikën e Kosovës”.

Duke e falënderuar për mikpritjen, Barbano e falënderoi Kryeministrin Kurtin dhe e përgëzoi “për progresin mbresëlënës ekonomik dhe demokratik që ka shënuar Kosova”.

Në këtë takim të pranishëm kanë qenë edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe Koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ejup Maqedonci.

Giovanni Pietro Barbano, Gjeneralmajor i Karabinierisë së Italisë, ka marrë zyrtarisht detyrën si Shef i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), me një mandat që do të zgjasë nga 26 qershori 2023 deri më 14 qershor 2025.

Vendimi për të emëruar Gjeneralmajorin Barbano, i cili ka më shumë se 40 vite përvojë në ligj dhe rend, aktivitete të policisë dhe operacione të paqes, u mor nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian në Komitetin për Politikë dhe Siguri, më 13 qershor.

Ai e pason diplomatin suedez Lars-Gunnar Wigemark, i cili e përfundoi detyrën e tij si Shef i EULEX-it në qershor të këtij viti, ndërsa në fund të mandatit u dekorua me Medaljen Presidenciale për Sundimin e Ligjit nga Presidentja Vjosa Osmani

EULEX-i ka filluar punën në vitin 2008 dhe mandati aktual i tij mbulon periudhën deri më 14 qershor 2025 bazuar në Vendimin e Këshillit Evropian. Misioni i përgjithshëm i EULEX-it është mbështetja e institucioneve të përzgjedhura të sundimit të ligjit në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore