Lajme

Kurti takohet me homologun e Japonisë, diskutojnë për investime në Kosovë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë qëndrimit të tij në Japoni është takuar me homologun e tij, Fumio Kishida.

Këtë e ka bërë të ditur Kurti në rrjetin social ‘Facebook’.

“Në ditën e dytë të qëndrimit në Tokio, në rezidencën shtetërore në Pallatin Akasaka, na priti për vizitë Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida. I shpreha edhe njëherë ngushëllime në emër të popullit dhe qeverisë së Kosovës për vdekjen tragjike të ish Kryeministrit Shinzo Abe, si dhe e falënderova për ndihmën e mbështetjen e vazhdueshme japoneze për zhvillimin e Kosovës”, ka shkruar ai.

Kryeministri gjatë këtij takimi thuhet se e ka njoftuar kryeministrin Kishida, për interesimin e Kosovës që të investohet nga Japonia.

“Tregova për të arriturat socio-ekonomike të Kosovës dhe interesimin tonë për investime nga Japonia, teksa konfirmova pjesëmarrjen tonë në EXPO Osaka 2025. Japonia është vend shumë i rëndësishëm i G7, me të cilën ne ndajmë pikëpamje të njëjta vlerore dhe strategjike”.

“Në fund të takimit Kryeministri Kishida më tha të përcjell përshëndetjet e tij për popullin e Kosovës, kurse unë e ftova ta vizitojë Kosovën në një të ardhme të afërt”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, të hënën e 26 shtatorit kanë udhëtuar për në Japoni.

Ata gjatë kësaj vizite do të marrin pjesë në ceremoninë shtetërore të varrimit të ish-kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe, ka njoftuar Zyra për Komunikim Publik.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Japoni për të marrë pjesë në ceremoninë shtetërore të varrimit të ish-kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe”, është thënë në komunikatën e Zyrës për Komunikim Publik.

Teksa theksohet se të dy do të kenë edhe takime të tjera gjatë kësaj vizite.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore