Kosova

“Kurti sot u dorëzua”


Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka deklaruar se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “sot u dorëzua përballë Serbisë”, duke thënë se “disfata e tij” mund të shpjegohet në tri pika.

Kështu është shprehur ai pas deklaratës së Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, i cili ka thënë se Kosova dhe Serbia janë afër arritjes së një marrëveshje në parim për situatën sa i përket reciprocitetit të targave.

Molliqaj, i cili ka qenë ish-sekretar i Lëvizjes Vetëvendosje, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se “Qeveria Kurti e pranon Serbinë si hisedare në Kosovë, duke negociuar me të për çështje të brendshme të Kosovës (për veriun e vendit)”.

Sipas tij, Qeveria e cila udhëhiqet nga Kryeministri Kurti, “legjitimoi strukturat paralele në veri dhe konfirmoi heqjen dorë të Kosovës nga sovraniteti jonë shtetëror atje, duke lejuar përdorimin e tabelave KM për të cilat Bislimi tha që do të konfiskohen ‘vetëm nëse kalojnë në jug’ por jo edhe në veri”.

“Pra ja ku filloi, edhe nga Qeveria Kurti, trajtimi i veriut si zonë e veçantë nga gjithë pjesa tjetër e Kosovës. Si zonë ku strukturat paralele e kanë kontrollin. Si zonë ku Qeveria e Kosovës as që ka pretendim ta shtrijë sovranitetin”, shtoi ai.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj

Në anën tjetër, ai ka theksuar se “dorëzimi” i sovranitetit tek KFOR-i, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është kthim mbrapa në aspektin e shtetësisë.

“Baza juridike e KFOR-it në Kosovë është Rezoluta 1244, që Kosovën e sheh si pjesë të Serbisë. Delegimi formal nga Qeveria i sovranitetit tek KFOR-i, nënkupton legjitimim të rezolutës 1244. Prandaj me këtë pajtohet Serbia pa problem”, ka potencuar Molliqaj.

“Mos të harrojmë që kryeministri Kurti, gjatë qeverisë së parë, e kishte dërguar në prokurori marrëveshjen e Qeverisë së Kosovës me NATO-n për mosdërgim të forcave të Kosovës në veri të vendit. Sot Kurti e afirmoi këtë marrëveshje. Duke pranuar t’ia heq Policisë së Kosovës të drejtën për të qëndruar atje”, përfundoi ai.

Ndërkaq, Zëvendëskryeministri Bislimi, para mediave, pas takimit që zhvilloi në Bruksel në kuadër të dialogut, ka thënë se është arritur një draft final e po pritet vetëm miratimi nga pala serbe.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi

Në kuadër të kësaj marrëveshje parashihen tri elemente.

Pika 1: “Të shtunën e dy tetorit, forcat e KFOR-it “do të vendosen në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak dhe disa orë pas vendosjes së tyre, do të fillohet me largimin e barrikadave dhe njëkohësisht edhe me zhvendosjen e njësisë speciale të policisë së Kosovës. Njësitë e KFOR do të qëndrojnë në vendkalimet kufitare afërsisht dy javë dhe mund të largohen nga vendkalimet pastaj në rast të qetësimit komplet të situatës”.

Pika 2: “Në mëngjesin e katër tetorit do të fillojë zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra tjetrës. Rrjedhimisht nga dita e hënë parashihet që asnjë qytetarë i Kosovës dhe Serbisë nuk do ketë më nevojë të vendosë tabela të përkohshme gjatë kalimit në territorin e shtetit tjetër”.

Pika 3: “Do të krijohet një grup punues me objektiv gjetjen e zgjidhjes përfundimtare rreth targave, bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së. ky grup do ketë 6 muaj kohë për të mundësuar kalimin në zgjidhjen e përhershme, me çka edhe kufizohet afati i zbatimit të sistemit me afishe”.

Mirëpo, e vetmja pikë sipas tij, ku Serbia nuk ka dhënë pëlqimin, para se marrëveshja të quhet e finalizuar, ka të bëjë me targat “KM”.

“E vetmja pikë ku Serbia ende nuk e ka dhënë pëlqimin ka të bëjë me targat KM për të cilat ata mendojnë që nuk do të duhej të aplikoheshin stikersat, kjo është absurde për arsye se ato janë tabela ilegale dhe ne nuk mund të nënshkruajmë marrëveshje ku favorizohen poseduesit ilegal të tabelave kështu që edhe ata do të kishin të njëjtin sistem për aq kohë sa lëvizin në veri, ndërkaq në jug do të konfiskoheshin”, ka thënë Bislimi.

Ndërkaq, të hënën e 20 shtatorit, Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit, duke mos lejuar qarkullimin e veturave me targa të Serbisë.

Heqja e targave serbe dhe vendosja e targave të Kosovës

Veturat me këto targa, në hyrje të Kosovës duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj siç obligohen qytetarët e Kosovës me targa “RKS” t’i ndërrojnë ato kur futen në Serbi.

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë pesë euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore