Lajme

Kurti: Sa herë që duam të hedhim hapa, ia vlen të pyesim – Çfarë do të mendonte Adem Demaçi?


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në akademinë përkujtimore për “demiurgun e lirisë” dhe veprimtarin e shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, ka thënë se ai mbetet pikë reference për të gjithë shqiptarët edhe pesë vjet pas vdekjes së tij, më 26 korrik 2018.

“Sa herë që shoqëria dhe shteti ynë ishte në udhëkryq, ne kthenim kokën prej Adem Demaçit, për ta pyetur se çfarë mendonte ai për këtë kohë apo atë kohë. Por që nga 26 korriku i vitit 2018, më nuk e kemi këtë drejtues”, ka deklaruar kryeministri Kurti, të mërkurën.

Kreu i ekzekutivit kosovar ndër të tjera ka nënvizuar se përveç referimit nga vepra jetësore dhe ajo e shkruar e kampionit të fjalës së lirë, në çdo kohë ia vlenë që para çdo veprimi apo hapi, të shtrohet një pyetje substanciale: “Çfarë do të mendonte Adem Demaci?”.

“Për të marrë përgjigje, duhet t’i kthehemi dhe rikthehemi veprës së tij të shkruar dhe veprës së tij të jetuar, e cila ende nuk është studiuar dhe kultivuar. Adem Demaçi ishte busulla e lirisë për shqiptarët nën Jugosllavi, sepse ai ia kishte dëshmuar me trup dhe me mendje të tri Jugosllavive”.

Adem Demaçi ishte kampion i fjalës së lirë dhe ka pagur një çmim të lartë për mbrojtjen e saj. 28-vjet burg për fjalën dhe idenë që populli shqiptar i Kosovës të jetonte në liri. Nuk ishte ndalur asnjëherë së angazhuari për realizimin e idealeve për të cilat edhe kishte kaluar tri dekada në burgjet serbe.

Ai ishte nderuar edhe me çmimin prestigjioz “Saharov” – nderimi më i lartë që Bashkimi Evropian ua bën personaliteteve botërore për lirinë e mendimit dhe përpjekjeve siperane për të drejtat e njeriut. Nelson Mandela – luftëtari i paepur kundër Apartheid-it ishte fituesi i parë i këtij çmimi prestigjioz (1988).

Ndër këto figura të përmasave botërore dhe kolosë të lirisë janë edhe dy shqiptarë të Kosovës, Adem Demaçi (1991), i cili vuajti 28 vjet burg politik në ish-Jugosllavi dhe Ibrahim Rugova (1998), për rezistencën paqësore gjatë viteve të 90-ta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore