Kosova

Kurti pjesë e panelit në forumin e Bratislavës – “Akoma s’ka mbërritur, pritet nesër në mëngjes”, organizatorët e “GLOBSEC’s 2023” flasin për AP-në


Forumi

Në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan, para objekteve të komunave janë të vendosur policë, një rreth më larg pjesëtarë të KFOR-it dhe ballë tyre protestues serbë, derisa në Prishtinë, ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, po zhvillon takime me kryetarët e rinj të komunave e presidenten Vjosa Osmani.

Në një situatë krejt tjetër gjendet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili, sipas informacioneve në faqen zyrtare të Forumin Global të Sigurisë “GLOBSEC’s 2023” në Bratislavë të Sllovakisë, kryeministri të martën do të jetë pjesë e një paneli ku diskutohet për rrugën e shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian.

Paneli

Forumi, siç thuhet në faqen zyrtare, është një nga konferencat më të rëndësishme ndërkombëtare të kësaj natyre. Një nga platformat më të dalluara në të gjithë rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore, thuhet në përshkrimin e kësaj ngjarjeje.

Aktorë të nivelit të lartë nga fusha të ndryshme bashkohen në Bratislavë të Sllovakisë – një nga 5 shtetet e BE-së që s’e ka njogur akoma Kosovën – për të gjeneruar ide dhe zgjidhje të reja se si të kapërcehen sfidat e shumta që po përcaktojnë rendin global në ndryshim.

Tri temat kryesore të këtij viti në këtë forum janë: “Mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën”, “Qëndrueshmëria e Evropës përballë luftës”, “Zbutja e pasojave globale të konfliktit (zinxhirët ekonomikë, energjitikë, vlera) – në një dialog global”.

Sipas orarit të publikuar në faqen zyrtare të “GLOBSEC’s 2023”, kreu i ekzekutivit kosovar është pjesë e një paneli bashkë me Milo Gjukanoviç-in, ish-presidentin e Malit të Zi dhe Emisarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Tema e këtij paneli, që parashihet të fillojë nga ora 17:00 deri në 17:50 të martën, do të jetë “E pa-ngrirë? Ballkani Perëndimor dhe shtegu drejt Brukselit”.

Albanian Post ka kontaktuar me organizatorët e Forumit Global të Sigurisë “GLOBSEC’s 2023″, por nga atje kanë thënë se deri të hënën në mesditë, nuk e kanë të konfirmuar akoma se kryeministri Kurti ka mbërritur në Bratislavë.

“Ai është pjesë e panelit të martën pasdite. Zakonisht për këtë orar, pjesëmarrësit vijnë në mëngjes”, kanë thënë organizatorët për AP-në. Albanian Post ka provuar të kontaktojë edhe me zëdhënësin e qeverisë për të kuptuar nëse Kurti është nisur për Bratislavë, por Përparim Kryeziu nuk u është përgjigjur thirrjeve të redaksisë.

Ndryshe, të hënën ka vazhduar tubimi i serbëve para objekteve komunale në veri të vendit për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në zyra. Përveç njësiteve policore të Kosovës, një prani e shtuar e ushtarëve të KFOR-it – kryesisht amerikanë – gjendet para objekteve të komunave në këtë zonë të banuar me serbë etnikë.

Tensionet janë më të larta në Zveçan, ku grupe të serbëve lokalë – mes tyre disa edhe me maska e kapele – po qëndrojnë grumbull para ndërtesës së komunës, raportojnë gazetarët në terren, ndërsa në Zubin-Potok e Leposaviq, situata është më e qetë.

Ajo që raportohet nga gazetarët në vendin e ngjarjes është se kordoni i pjesëtarëve të KFOR-it është vënë në afërsi të objektit, ndërsa pjesëtarë të Policisë së Kosovës nuk shihen aty. Në Zubin Potok e Leposaviq raportohet për situatë më të qetë, edhe pse serbët lokalë po qëndrojnë afër ndërtesës së komunës.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore – Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan.

Aktualisht, në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat e dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë institucionet kosovare që po mundohen të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore