Lajme

Kurti për rrahjen e Sanduloviç-it: Serbia si Rusia, sulmon ata që refuzojnë të mohojnë gjenocidin


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është “thellësisht i shqetësuar” pas raportimeve se ish-kandidati për president të Serbisë, Nikola Sanduloviç, i cili dikur ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë dhe shef i sigurimit të ish-kryeministrit serb, Zoran Gjinxhiç, është rrahur brutalisht nga shërbimet sekrete serbe në ndërtesën e Agjencisë së Sigurimit dhe Inteligjencës serbe (BIA).

“Thellësisht i shqetësuar për raportet që thonë se lideri i opozitës serbe Nikola Sanduloviç është paralizuar për shkak të rrahjeve të rënda nga shërbimi sekret serb. Kjo vjen pas kërkimit të faljes së tij për krimet e kryera nga Serbia gjatë fushatës gjenocidale në Kosovë”, ka shkruar Kurti në platëformën X.

Ky brutalitet i papërshkrueshëm, sipas kryeministrit, “përfaqëson tarifën që qeveria serbe u imponon qytetarëve të saj për guximin për të pranuar të vërtetën dhe për të ndjekur pajtimin”.

“Është gjithashtu përbën një shkelje serioze të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe një sulm të ngjashëm me [Vladimir] Putin-in ndaj atyre që refuzojnë të marrin pjesë në mohimin e gjenocidit”, shtoi.

Çedomir Stojkoviç, avokat serb, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të enjten, ka thënë se ish-kandidati për president të Serbisë, Nikolla Sanduloviç, i cili dikur ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë dhe shef i sigurimit të ish-kryeministrit serb, Zoran Gjinxhiç, është rrahur brutalisht nga shërbimet sekrete serbe në ndërtesën e Agjencisë së Sigurimit dhe Intelegjencës (BIA).

Gjithçka dyshohet se ka ndodhur për shkak të një postimi në “X” dy ditë më parë, ku kreu i Partisë Republikane të Serbisë (RS) kishte rikthyer në fokus vizitën e tij në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, duke shprehur ngushëllime në emër të popullit serb për vrasjen e 50 anëtarëve të familjes Jashari nga ushtria dhe policia serbe në mars të vitit 1998.

Sanduloviç citohet të ketë thënë se në mesin e personave që kanë ushtruar dhunë, ka arritur ta identifikojë politikanin dhe biznesmenin kontravers serb, Millan Radoiçiç, i cili ka marrë përgjegjësinë për organizimin dhe sulmin e armatosur terrorist më 24 shtator në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.

Në bazë informacioneve të fundit nga familja dhe bashkëpunëtorët e afërt, politikani opozitar serb është kthyer në gjendje shumë të keqe nga spitali të enjten pasdite, ku ka qenë duke marrë trajtim mjekësor intensiv. Ai dyshohet se është paralizuar, megjithëse ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar për rastin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore